Lidhje

Rusia ngre dyshime rreth zgjatjes së marrëveshjes mbi eksportin e drithit


FILE - The Eaubonne bulk carrier ship docks in the port of Mombasa, Kenya, Nov. 26, 2022. The amount of grain leaving Ukraine has dropped even as a U.N.-brokered deal works to keep food flowing to developing nations,
FILE - The Eaubonne bulk carrier ship docks in the port of Mombasa, Kenya, Nov. 26, 2022. The amount of grain leaving Ukraine has dropped even as a U.N.-brokered deal works to keep food flowing to developing nations,

Rusia tha të enjten se marrëveshja historike që garanton eksportin e sigurt të drithit nga portet ukrainase në Detin e Zi po zbatohej vetëm përgjysmë, duke ngritur dyshime nëse do të lejonte zgjatjen e marrëveshjes që skadon javën e ardhshme.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia korrikun e kaluar, synonte të parandalonte një krizë globale ushqimore, duke lejuar që gruri ukrainas i bllokuar nga sulmi rus të eksportohej në mënyrë të sigurt nga tre porte të Ukrainës.

Ajo u zgjat për 120 ditë në nëntor dhe do të rinovohet më 18 mars nëse asnjëra palë nuk e kundërshton këtë. Megjithatë, Moska ka sinjalizuar se do të pajtohet me një zgjatje vetëm nëse hiqen kufizimet që prekin eksportet e saj.

Eksportet bujqësore të Rusisë nuk janë në mënyrë direkte në shënjestër të sanksioneve të Perëndimit, por Moska thotë se sanksionet ndaj sistemeve të pagesave, industrive të logjistikës dhe sigurimit krijojnë pengesa për eksportimin e drithërave dhe plehrave të saj kimike.

"Ka ende shumë pyetje rreth destinacionit përfundimtar për pjesën më të madhe të grurit. Dhe, sigurisht, pyetjet rreth pjesës së dytë të marrëveshjeve janë të njohura për të gjithë", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Rusia është ankuar se drithi ukrainas i eksportuar në bazë të marrëveshjes shkon në vendet e pasura. "Pjesa e dytë" i referohet një memorandumi mirëkuptimi me OKB-në që lehtëson eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave kimike.

Marrëveshja "duhet të zgjatet"

Shefi i personelit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se marrëveshja për eksportin e grurit është pjesë e planit të vendit për t'i dhënë fund luftës dhe duhet të zgjatet për një kohë të pacaktuar.

Andriy Yermak, i cituar nga agjencia e lajmeve Interfax në Ukrainë, tha se çdo sugjerim për t'i dhënë fund marrëveshjes për eksportin e grurit përbën "presion ndaj ndërmjetësve të saj - Turqisë dhe OKB-së".

"Të paktën, ajo duhet të zgjatet me të njëjtin afat si më parë", tha zoti Yermak për gazetarët.

Presidenti Zelenskyy dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres zhvilluan bisedime në Kiev të mërkurën për zgjatjen e marrëveshjes, për të cilën Guterres tha se ishte "me rëndësi kritike".

Nuk ka plane për bisedime të drejtpërdrejta midis zotit Guterres dhe presidentit rus Vladimir Putin, tha Kremlini.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha në një konferencë shtypi të enjten se ato që ai i quajti "dy pjesët" e marrëveshjes, sigurimi i eksporteve të grurit ukrainas dhe heqja e barrierave ndaj eksporteve ruse, janë "të ndërlidhura".

“Pjesa e parë është duke u zbatuar dhe ne po i përmbushim të gjitha detyrimet tona në këtë drejtim së bashku me kolegët tanë turq”, tha zoti Lavrov. “Pjesa e dytë nuk po zbatohet fare”.

"Nëse po flasim për një marrëveshje, ajo është pjesë e një pakoje marrëveshjesh. Ju mund të zgjasni vetëm atë që tashmë është duke u zbatuar, dhe nëse kemi një zbatim gjysmak, atëherë çështja e zgjatjes bëhet mjaft e ndërlikuar", tha zoti Lavrov.

Zyrtarja e lartë e OKB-së për tregtinë, Rebeca Grynspan, do të diskutojë marrëveshjen e grurit me zyrtarë të lartë rusë në Gjenevë javën e ardhshme.

Sipas OKB-së, Ukraina deri më tani ka eksportuar më shumë se 23 milionë tonë kryesisht misër dhe grurë në bazë të marrëveshjes. Destinacionet kryesore për këto dërgesa kanë qenë Kina, Spanja, Turqia, Italia dhe Holanda.

"Eksportet ukrainase dhe ruse të ushqimit dhe plehrave kimike janë thelbësore për sigurinë globale të ushqimit dhe çmimet e ushqimit", tha zoti Guterres në një konferencë shtypi të mërkurën.

XS
SM
MD
LG