Lidhje

Parlamenti i Gjeorgjisë rrëzon projektligjin për “agjentët e huaj”

Parlamenti i Gjeorgjisë hodhi poshtë projektligjin për “agjentët e huaj”, i cili parashihte që mediat dhe organziatat joqeveritare që marrin mbi 20 për qind të financave të tyre nga burime jashtë vendit, të regjistrohen si “agjentë të huaj”.

Parlamenti i Gjeorgjisë rrëzon projektligjin për “agjentët e huaj”
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Rrëzimi i nismës që shkaktoi një krizë të thellë politike, u cilësua si fitore e madhe për vendin, nga qytetarët që po protestonin para parlamentit.

Në seancën e së premtes, Parlamenti i Gjeorgjisë rrëzoi projektligjin që sipas kundërshtarëve të tij do të shtypte zërat kundër dhe do të kufizonte lirinë e medias, përmes represonit të stilit rus.

Projektlgji për “agjetët e huaj” nuk mori votat e duhura në lexim të dytë, sepse deputetët e partisë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” tërhoqën mbështetjen e tyre për nismën.

Protestuesit jashtë parlamentit e quajtën këtë fitore të madhe për vendin.

"Do të dëmtonte rrugëtimit tonë drejt Evropës. Do të dëmtonte përparimin dhe lirinë e shprehjes së brezave të rinj. Jam e lumtur që vendi është në rrugën e drejtë dhe gjeorgjianët po luftojnë për një të ardhme më të mirë”, thotë një studente.

"Qeveria duhet ta kuptojë se nuk mund të luftojë me ne. Kemi shumë të rinj. Nuk kanë shanse të fitojnë”, thotë një protestues tjetër.

“Duam të ardhme perëndimore dhe nuk do të kthehemi kurrë në Bashkimin Sovjetik. Sot, të rinjtë bëjnë zgjedhjen e tyre. Ne jemi Evropë”, tha Nina Matiashvili, protestuese në Tbilisi.

"E ardhmja jonë është Evropa dhe asgjë nuk e sfidon këtë”, thotë protestuesi Giorgi Kkadagidze.

Projektligji do të detyronte organziatat joqeveritare dhe mediat që sigurojnë më shumë se 20 për qind të fondeve të tyre nga burime jashtë vendit, të regjistrohen në Ministrinë e Drejtësisë si agjentë të huaj.

Kundërshtarët thonë se kjo është një praktikë e njëjtë me atë të ligjit rus të vitit 2012, të cilin Kremlini e ka përdorur vazhdimisht për të goditur shoqërinë civile dhe median e pavarur.

Planet që fillimisht ishin mbështetur nga partia në pushtet, thelluan kritikat e brendshme ndaj qeverisë se është e afërt me Moskën dhe kundër opinionit publik të Gjeorgjisë - që ka një qëndrim të ashpër kundër Rusisë.

"Mendoj se mund ta arrijmë ditën kur gjeorgjianët të bëhen pjesë e Evropës dhe asnjë oligark rus nuk do të jetë pengesë për ne”, thotë Khatia Dekanoidze, deputete e partisë “Lëvizja e Bashkuar Kombëtare”.

Dhjetëra mijëra gjeorgjianë dolën rrugëve të kryeqytetit Tbilisi për tre netë rresht për të kundërshtuar nismën, duke thënë se qeveria po përpiqej ta çonte vendin në një drejtim gjithnjë e më autoritar.

Policia arrestoi dhjetëra protestues dhe përdori gaz lotsjellës, granata çorientuese dhe topa uji për të shpërndarë qytetarët e mbledhur jashtë parlamentit.

Kremlini tha se është duke ndjekur me shqetësim zhvillimet në Gjeorgji ndërsa akuzoi Shtetet e Bashkuara për nxitje të ndjenjave anti-ruse tek gjeorgjianët.

XS
SM
MD
LG