Një pjesë e opozitës në Kosovë kritikoi të premten kryeministrin Albin Kurti për qasjen ndaj planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.
Ata i bënë këto komente duke shprehur rezervat e tyre mbi këtë plan gjatë takimeve me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron në rajon në kuadër të përpjekjeve për të siguruar pajtimin e palëve rreth udhërrëfyesit për zbatimin e planit evropian.
Zoti Lajçak një natë më parë shfaqi shpresën se Kosova dhe Serbia do të pajtohen rreth kësaj çështjeje në takimin e radhës me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Që të bëhet dokument ligjërisht i detyrueshëm duhet të pajtohemi se si të zbatohet. Duhet të dimë cilët janë hapat, ritmi dhe afatet kohore. Përndryshe do të jetë vetëm marrëveshje politike dhe jo formale”, tha zoti Lajçak, pas takimeve të së enjtes me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Të premten zoti Lajçak tha shkurt se takimet me opozitën ishin pjesë e përgatitjeve për takimin e 18 marsit dhe siç tha është e rëndësishme që edhe opozita të dëgjojë drejtpërdrejtë prej tij rreth këtyre përgatitjeve.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se plani paraqet një marrëveshje të përkohshme që mund të krijojë një “status quo” të re.
“Sot ne nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sot nuk kemi një marrëveshje finale, sot nuk kemi njohje të ndërsjellë. Sot kemi një marrëveshje të përkohshme, sot kemi Asociacionin (e komunave me shumicë serbe) të cilin ne nuk e kundërshtojmë, sepse nuk e kemi kundërshtuar as më herët meqë ai edhe kur të themelohet duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, padyshim. Por, kemi nene të caktuara në marrëveshje që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit, e çka është më e keqja edhe përtej Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.
Zoti Krasniqi fajësoi kryeministrin Kurti për siç tha humbje të mundësisë që të bindë aleatët për ruajtjen e vazhdimësisë në qasjen për një marrëveshje me njohje të ndërsjellë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se “Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”.
Ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ritheksoi qëndrimin në mbështetje të planit evropian.
“Mendojmë që ka të arritura serioze në këtë dokument, e kuptojmë që nuk është njohja de jure e Kosovës në të, por e kuptojmë që marrëveshja përmban elemente të cilat krijojnë marrëdhënie krejt të reja në Ballkan e posaçërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, krijohen rrethana të cilat e nxjerrin Kosovën në situatë krejt tjetër”, tha Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 18 marsit. Pas takimit me zotin Lajak, kryeministri Kurti tha se e ka konfirmuar qasjen e hapur dhe konstruktive për negocimin e udhërrëfyesit për zbatimin e planit evropian. Ai shfaqi besimin se Bashkimi Evropian mund të ndihmojë për ta bërë 18 marsin një ditë të suksesshme për demokracinë në Evropë dhe qëndrueshmërinë në rajon.
Zoti Kurti ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruajë planin evropian që më 27 shkurt në Bruksel, por kjo nuk ndodhi meqë pala serbe nuk kishte gatishmëri për një gjë të tillë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili është kritikuar nga opozita serbe se me planin evropian do ta njohë Kosovën, ka thënë se një nga pikat e planit nënkupton që Serbia do të pajtohej me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe për këtë arsye nuk ishte i gatshëm të nënshkruaj.
Plani evropian nuk kërkon njohjen e Kosovës nga Serbia por u kërkon të dyja palëve që të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra – tjetrës.
Zoti Lajçak të hënën dhe të martën pritet të qëndrojë në Beograd.
Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell të raportoj në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kanë thënë se janë paralajmëruar nga diplomatët perëndimorë se mund të përballen me sanksione në rast të refuzimit të planit evropian.