Lidhje

Shqipëri, PD e Alibeajt letër KQZ-së: Dokumentat i kemi të plota


Në Shqipëri, Partia Demokratike e cila juridikisht njihet të ketë ende si kryetar të saj zotin Lulzim Basha, këmbëngul se dokumentacioni i paraqitur prej saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rregjistrim në zgjedhjet vendore të 14 majit është i plotë

Letra e Partisë Demokratike për KQZ-ën
Letra e Partisë Demokratike për KQZ-ën

Dy ditë më parë, Komisioneri shtetëror Ilirjan Celibashi i la afat 48 orë Partisë Demokratike për plotësimin e dy dokumentave, së pari, riformulimin e autorizimit të lëshuar nga zoti Basha në mars të vitit të kaluar, përpara se të jepte dorëheqjen, ku përcakton personat që do të përfaqësojnë PD-në, përfshirë zgjedhjet vendore të këtij viti, dhe së dyti, deklaratën solemne e cila kërkohet që të jetë e nënshkruar personalisht nga zoti Basha.

Në një letër dërguar sot, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Indrit Sefa, saktëson se zoti Basha ka dhënë dorëheqjen, e për këtë arsye autorizimi i lëshuar prej tij është plotësisht i vlefshëm. Zoti Sefa, kërkon që vendimi i marrë nga zoti Celibashi të shfuqizohet.

Nga ana e tij, Komisioneri Shtetëror, nuk komentoi letrën, por tha se do të shprehet pasi të ketë kaluar afati 48 orësh, i cili skadon sot në mesnatë.

Edhe në rast se vendimi i zotit Celibashi nuk ndryshon, janë dhe dy shkallë të tjera ankimimi që mund të shfrytëzohen nga përfaqësuesit e PD-së, Komisioni i Ankimimeve në KQZ dhe Kolegji Zgjedhor si instancë e fundit.

Pasditen e sotme, zoti Enkelejd Alibeaj, si një nga tre personat e autorizuar nga zoti Basha, që prej vitit të kaluar, për të përfaqësuar Partinë Demokratike, i është drejtuar komisionit të Ankimemeve duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të marrë nga zoti Celibashi, dhe detyrimin e këtij të fundit që të rregjistrojë PD-në, si subjekt zgjedhor.

Në vendimin e tij të dy ditëve më parë, zoti Celibashi, rrëzoi kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha, për rregjistrimin e Partisë Demokratike, të drejtuar nga ky i fundit. Ky vendim u ankimua sot zyrtarisht nga zoti Berisha.

XS
SM
MD
LG