Agresioni rus në Ukrainë dhe sfida që paraqet Kina shtynë Britaninë të rishikojë strategjinë e mbrojtjes, një dokument që u publikua këtë javë. Sikurse njofton nga Londra, korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, ky zhvillim vjen ndërsa vendi po përpiqet të krijojë një balancë mes kërcënimeve strategjike dhe burimeve të kufizuara financiare në dispozicion.
Në strategjinë e rishikuar të mbrotjes thuhet se sulmi i Rusisë në Ukrainë, nënkupton se siguria kolektive e Perëndimit është tashmë e lidhur ngushtë me rezultatin e konfliktit.
“Strategjia e detyron Britaninë e Madhe të pranojë se kërcënimet më urgjente, janë tani pranë saj. Dhe se Mbretëria e Bashkuar është në një pozicion vërtet të fortë, siç ka treguar viti i kaluar, për të ofruar mbështetje ushtarake për aleatët në Evropë, veçanërisht në frontin lindor të Evropës”, thotë David Lawrence, i ‘Chatham House’, një institut i pavarur politikash me seli në Londër.
Krahas shpenzimeve vjetore për mbrojtjen prej 58 miliardë dollarësh, me rishikimin e strategjisë, angazhohen edhe 6 miliardë dollarë shtesë për dy vitet e ardhshme. Nga këto, 2.3 miliardë do të shpenzohen për prodhimin e municioneve për të rimbushur rezervat e pakësuara, për shkak të ndihmës ushtarake dhënë Ukrainës.
Në strategjinë e rishikuar përsëriten ambiciet e Britanisë për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por synimi për arritjen e këtij objektivi deri në vitin 2030, është hequr.
“Nëse Mbretëria e Bashkuar dëshiron vërtet të jetë Britania globale, një forcë në skenën botërore, me rol udhëheqës kur vjen puna për t'iu përgjigjur Rusisë ose Kinës, atëherë ka nevojë për më shumë para për ta bërë këtë. Për momentin ne po përpiqemi të drejtojmë një ushtri të klasit të parë, që konkurron me SHBA-të, Kinën dhe Rusinë, por me një ekonomi të nivelit së dytë”, thotë zoti Lawrence.
Qëndrimi i Britanisë ndaj Kinës ka fituar shumë vëmendje. Kryeministri Rishi Sunak ka thënë se Pekini paraqet një sfidë vendimtare për epokën në të cilën jetojmë.
“Është një vend me vlera thelbësisht të ndryshme nga tonat dhe sjellja e Kinës gjatë viteve të fundit ka qenë shqetësuese, më autoritare në vend dhe më kategorike jashtë tij”.
Por zoti Sunak nuk e etiketoi Kinën si një kërcënim, pavarësisht trysnisë nga disa përfaqësues të partisë së tij.
“Politika e Kinës mund të ndryshojë dhe askush nuk e di nëse ajo do të sulmojë apo jo Tajvanin, nëse do të vazhdojë apo jo të ndjekë qasjen e të qenit më kategorike. Mendoj se qeveria britanike dëshiron t’i mbajë opsionet e saj të hapura, duke pranuar gjithashtu se Kina do të jetë një vend i rëndësishëm për të punuar në trajtimin e sfidave globale”, thotë zoti Lawrence.
Po kështu 3.6 miliardë dollarë shtesë pritet të shpenzohen për të mbështetur dërgimin e nëndetëseve me energji bërthamore për marinën australiane, si pjesë e paktit të mbrojtjes së Indo-Paqësorit, me SHBA-të dhe Australinë. Pekini ka thënë se marrëveshja e ka futur rajonin në një rrugë të rrezikshme.