Lidhje

Zyrtarët e lartë të BE-së kërkojnë nga Shkupi reforma të shpejta


Përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi po qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut, ku morën pjesë në një takim të Këshillit për Stabilizim dhe Asocim në mes të Bllokut dhe këtij vendi ballkanik. Zyrtarët e lartë evropianë theksuan nevojën e përshpejtimit të reformave dhe angazhimin e të gjitha palëve në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në Shkup u mbajt Këshilli i Stabilizim Asocimit BE-Maqedoni e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:04 0:00

Ata thanë se e shohin Maqedoninë e Veriut si vend anëtar të BE-së brenda një të ardhmeje, ndërsa inkurajuan autoritetet dhe partitë politike që të realizojnë kushtet e parashtruara; një ndër to: njohja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Takimi i Këshillit për Stabilizim dhe Asocim midis Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut u mbajt për herë të parë në Shkup dhe jo në Bruksel, siç është praktikuar deri tani; një gjë që këtu shikohet si një përkushtim për perspektivat euroatlantike të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

Në takim janë vlerësuar arritjet e vendit ballkanik në rrugën e integrimit drejt Bllokut evropian, ndërsa zyrtarët e lartë të BE-së inkurajuan qeverinë që të vazhdojë me reformat në bazë të standardeve të kërkuara nga Brukseli.

Zoti Borrel tha se Ballkani Perëndimor është dhe do të jetë përparësi kyçe për Bashkimin Evropian dhe për interesat gjeopolitike të tij.

Ai nënvizoi disa aspekte ku Maqedonia e Veriut duhet të angazhohet më tepër:

"Në veçanti në fushat e sundimit të ligjit, gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit”, por, siç theksoi Shefi i politikës së jashtme të BE-së, “e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian”. Megjithatë, “për të shkuar përpara, duhen bërë reforma në suaza të standardeve evropiane dhe të përmirësohen marëdhëniet me vendet fqinje", shtoi ai.

Zyrtarët e lartë evropianë e shikojnë Maqedoninë e Veriut si një vend të ardhshëm anëtar të Bashkimit Evropian, ndërsa Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhleyi tha se është me rëndësi që Shkupi të mos ngadalësojë por t'i përshpejtojë reformat, në veçanti ato që janë me interes për qytetarët e saj.

“Thelbi i të gjithë procesit të zgjerimit është sundimi i ligjit, një gjyqësor i paanshëm, efikas dhe i pavarur, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe krijimi i bazave të demokracisë”, për çka ai tha se kërkon përfshirjen e të gjitha palëve, nga qeveria e opozita, tek komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile. “Duhet një unitet kombëtar për ta çuar përpara anëtarësimin”, tha Komisioneri Varhelyi.

Zoti Borrel tha se Maqedonia e Veriut është zotuar që të bëjë ndryshime në Kushtetutën e saj për të përfshirë në të komunitetet etnike, siç janë bullgarët.

“Nuk ka asgjë të çuditshme”, tha ai, duke marrë shembullin e Kroacisë, si shtetin anëtar më të ri në BE ku “të paktën 22 komunitete figurojnë në kushtetutën e saj”. Ai tha se identiteti i popullit maqedonas nuk rrezikohet me këto ndryshime dhe se përkundrazi do të mbrohet.

Ndërkohë, Komisioneri Varhelyi tha se reformat që i realizon Maqedonia e Veriut do të diktojnë shpejtësinë e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, por ai nuk tha nëse kjo do të bëhet në vitin 2030, siç synojnë autoritetet qeveritare në Shkup.

“Zgjerimi është një përparësi kryesore e drejtuesve të Bashkimit Evropian dhe vlerësoj që nëse arrihen kushtet nga ana e Maqedonisë së Veriut për të hyrë në BE, atëherë BE-ja do të marrë vendime pozitive”, tha Komisioneri.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski tha se një nga vendimet që vendi i tij duhet të marrë deri në anëtarësimin në BE është miratimi i amendamenteve kushtetuese me dy të tretat e numrit të deputetëve në parlament. “Por, ky proces, shtoi ai, nuk bëhet nga një person, një parti politike, apo një qeveri, por është një proces për të gjithë shtetin dhe zotim i të gjitha partive politike dhe i deputetëve në parlament që të marrin vendime me të cilat sigurohet synimi strategjik i vendit dhe ky është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ashtu siç u veprua me anëtarësimin në NATO”.

Zyrtarët e lartë evropianë theksuan mbështetjen që Maqedonia e Veriut i jep BE-së për sa i takon masave për luftën në Ukrainë.

Para pak ditësh BE-ja i transferoi në buxhetin e Maqedonisë së Veriut 80 milionë euro për t'u ballafaquar me problemet energjetike, në kuadër të shumës prej 1 miliardë eurosh të premtuara për Ballkanin Perëndimor.

Shkupi i filloi bisedimet për anëtarësim me Bllokun në korrik të vitit të kaluar. Vendi ishte ndër të parët nga Ballkani që mori statusin "vend kandidat për anëtarësim" qysh në dhjetor të 2005-ës, por raportet jo të mira me vendet fqinje dhe krizat e brendshme politike e mbajtën larg përparimit të integrimit. Qeveria aktuale vlerëson se anëtarësimi në BE ka gjasa të bëhet deri në vitin 2030, një synim tepër ambicioz dhe i mbivlerësuar, sipas një pjese të analistëve.

XS
SM
MD
LG