Lidhje

Baerbock në Shkup, thekson nevojën për reforma dhe ndryshimet kushtetuese


Annalena Baerbock
Annalena Baerbock
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock theksoi të enjten në Shkup nevojën për ndryshimin e shpejtë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që vendi të vazhdojë në dhjetor bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi mbështetjen e vendit të saj për rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, ndërsa me autoritetet në Shkup diskutoi edhe për çështjet e sigurisë rajonale, agresionin rus në Ukrainë, Procesin e Berlinit dhe për sfida të tjera.
Baerbock në Shkup, thekson nevojën për reforma dhe ndryshimet kushtetuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbok në vizitën e saj të parë në Maqedoninë e Veriut theksoi nevojën për reforma dhe ndryshimet e domosdoshme kushtetuese në mënyrë që vendi ballkanik të ecë përpara drejt integrimit evropian. Ajo vuri në dukje arritjet pas marrëveshjeve të bëra me kompromis me vendet fqinje, Greqinë dhe Bullgarinë, ndërsa theksoi mbështetjen e Gjermanisë për rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

"Po, ne si Bashkim Evropian kemi premtuar se hapat drejt BE-së duhet të bëhen pas ndryshimeve kushtetuese. Më pas duhet të fillojë hapja e kapitujve në bisedimet për anëtarësim, në mënyrë që Maqedonia e Veriut të bëhet vend anëtar i bllokut", tha shefja e diplomacisë gjermane duke ju referuar përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

"Ne si BE kemi dhënë fjalën dhe do të qëndrojmë pas këtij premtimi që korninza e bisedimeve të zbatohet", tha zonja Baerbock. Ajo tha se ndryshimi i kushtetutës duhet bërë sa më parë që në muajin dhjetor në Bruksel të hapen kapitujt në procesin e bisedimeve. Zonja Baerbock tha se ndryshimi i kushtetutës duhet bërë në mënyrë demokratike me votat e kualifikuara të ligjvënësve në parlament "që për këtë çështje të ndjeshme të mos lejohet të vendosë libreza partiake", siç u shpreh ajo.

"Nëse dëshironi që të rinjtë të mos ikin në Evropë, duhet Evropën ta sillni këtu", tha Ministrja Baerbock lidhur me imigrimin në rritje të shtetasve të Maqedonisë së Veriut.

"Në disa vitet e fundit ndiejmë se Republika Federale e Gjermanisë është bërë një lloj mburoje për sfidat me të cilat përballet vendi ynë", tha Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Zoti Osmani tha se Maqedonia e Veriut së bashku me Shqipërinë dhe Kosovën do të jenë vendet e para që do t'i përfundojnë procedurat e brendshme dhe të mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve, të arritura në kuadër të nismës Procesi i Berlinit, për lëvizje të lirë dhe për tregun e përbashkët rajonal.

Zonja Baerbock në takimet me autoritetet në Shkup ka theksuar interesimin e vendit të saj për Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimin e tij demokratik dhe ekonomik. Ajo shprehu mirënjohje për rolin e rëndësishëm, siç tha të Maqedonisë së Veriut, në aspektin e sigurisë së rajonit.

Maqedonia e Veriut ka pritur për një periudhë të gjatë në rrugën e integrimit evropian. Statusin e "vendit kanidat" ajo e mori në dhjetor të vitit 2005, para Kroacisë, e cila tani është anëtare e BE-së,. Por përplasjet e brendshme politike dhe mosmarrëveshjet me fqinjët e kanë zvarritur procesin e saj të anëtarësimit në BE.
XS
SM
MD
LG