Lidhje

Mbetjet toksike kërcënojnë shëndetin e banorëve të një fshati në Maqedoninë e Veriut


Pollution in North Macedonia
Pollution in North Macedonia

Banorët e fshatit Llojan në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të ndikohen nga mbetjet toksike, të hedhura në një zonë të hapur pas mbylljes së një miniere kromi në vitin 1979. Mbetjet toksike kanë ndotur tokën dhe burimet nëntokësore të ujit. Ministria e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut po përgatitet të hapë një tender për të hequr mbetjet toksike.

Mbetjet toksike kërcënojnë shëndetin e banorëve të një fshati në Maqedoninë e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:04 0:00

Era e rëndë është tregues i tonelatave të mbetjeve toksike, përfshirë oksidin e arsenikut të hedhur në një zonë grumbullimi mbeturinash, pranë një shkolle në Maqedoninë e Veriut, ku mësojnë dhe luajnë 400 fëmijë.

Një minierë e kromit dhe antimonit në fshatin e Llojanit u mbyll në vitin 1979 dhe mbetjet u lanë në një hapësirë të hapur, duke ndotur tokën dhe burimet nëntokësore të ujit.

"Unë ju them gjithmonë nxënësve të mi, edhe gjatë orëve të gjeografisë, që të mos i afrohen kësaj deponie të arsenit. Për shkak të bartjes nga era, arseniku i thithur përmes rrugëve të frymëmarrjes mund të dëmtojë organet e brendshme", thotë Afrim Zymberi, mësues i gjeografisë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, arseniku është një nga 10 kimikatet që përbëjnë shqetësim të madh për shëndetin publik. Ajo thotë se ekspozimi afatgjatë nga uji i pijshëm dhe ushqimi në zonat me nivel të lartë arseniku mund të shkaktojë kancer.

Sipas një raporti të vitit 2007, të financuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, një milion ton mbetje materiale ndodheshin në Llojan, me nivel toksik arseniku, antimoni dhe substancash të tjera të rrezikshme. Nuk ka të dhëna më të fundit për këtë.

Rreth 5000 tonë ndodhen vetëm pak metra larg linjës hekurudhore, ku trenat ndërkombëtarë që vijnë nga Greqia kalojnë përmes Maqedonisë së Veriut në rrugën e tyre drejt vendeve të tjera të Evropës.

Maqedonia e Veriut ka identifikuar 16 zona të mbetjeve të rrezikshme industriale në të gjithë vendin.

Kur vendi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, i kushtohej pak ose aspak vëmendje ndikimit të tyre në shëndetin e njerëzve. Por tani, ndërsa vendi ballkanik synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ai duhet të bëjë më shumë për të pastruar mjedisin e tij.

Lendita Dika, nga zyra e qeverisë për Menaxhimin e Rrezikut nga Ndotjet Industriale, thotë se mbetjet e arsenikut nuk janë hequr për shkak të mungesës së interesit nga investitorët.

“Për arsye të ndryshme, përfshirë pandeminë e Covid-19 dhe krizën ekonomike, në vitin 2022 një kompani turke për fat të keq u tërhoq nga koncesioni dhe tani jemi në këtë situatë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ministrinë e ekonomisë dhe kemi filluar sërish procedurat për të filluar procesin e hapjes së një tenderi të ri për shkak të rritjes së interesit të investitorëve”, thotë ajo.

Arseniku përdoret si një agjent i shkrirjes së dy ose më shumë llojeve të metalit dhe për prodhimin e qelqit, pigmenteve, tekstileve, ngjitësve dhe pesticideve, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ndërkohë, qeveria planifikon të rrethojë zonën.

Nuk ka të dhëna të besueshme për efektet në shëndetin e njerëzve, por raporti i vitit 2007 thoshte se përqendrimi i arsenikut në tokë dhe ujë në fshatin e Llojanit ishte deri në 50 herë më i lartë se standardet e lejuara ndërkombëtare.

"Qeveria të paktën duhet ta mbulojë atë menjëherë dhe pastaj të marrë masa si lëshimi i udhëzimeve për të mos pirë ujin nga puset e kësaj zone", thotë Trajce Stafilov, profesor në Fakultetin shtetëror të Shkencave të Natyrës në Shkup.

Në fshatin Llojan, i cili ndodhet gjysmë kilometër nga kufiri me Serbinë, shumica e njerëzve përdorin ujin nga puset për të pirë, për bagëtinë dhe bujqësinë.

Pensionisti Fatmir Selmani shpreson se filtrimi i ujit siguron njëfarë mbrojtjeje për shëndetin e tij. Ai e nxjerr ujin nga pusi afër shtëpisë së tij.

“Uji ka shije më të mirë kur kalon nëpër këtë filtër”, thotë ai.

XS
SM
MD
LG