Lidhje

Kryeministri maqedonas Kovaçevski në Beograd, nënshkruhen memorandume të "Ballkanit të Hapur"


NORTH MACEDONIA SERBIA
NORTH MACEDONIA SERBIA

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevvski me një pjesë të kabinetit të tij prej ditës së enjte në mbrëmje nisi një vizitë në Serbi, ku u prit nga presidenti Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrja Ana Bërnabiç.

Vizita duket se ka për qëllim foricmin e nismës "Ballkani i Hapur", teksa ministrat përkatës të dy vendeve kanë nënshkruar të premten memorandume për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në vend-kalimin kufitar Preshevë-Tabanoc, memorandum për bashkëpunim në fushën e minierave dhe energjetikës, si dhe për pagesën e përbashkët elektronike të shërbimeve rrugore në të dy vendet.

"Pas një shëtitjeje të mirë ideohen planet më të mira dhe bëhen bisedat më të këndshme. Ndërsa me krenari i tregoj mikut tim Dimitar Kovaçevski se sa është ndërtuar Beogradi, këmbejmë mendime për zgjerimin e Ballkanit të Hapur në rajonin tonë por dhe për projekte të reja për ndërlidhje", shkruante presidenti serb Vuçiç shkroi në rrjetet sociale.

Zoti Kovaçevski u prit në Beograd me një ceremoni ushtarake. Në një konferencë shtypi me kryeministren Ana Bërnabiç, ai theksoi zotimin e qeverisë së tij për vullnetin e fortë politik për thellimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, në aspektin politik, ekonomik dhe në fusha të tjera.

"Bashkëpunimi i mrekullueshëm midis dy shteteve tona sjell zgjidhje cilësore në kriza të ndryshme, që për ne paraqet një shtysë të madhe që edhe më fuqishëm t'i përkushtohemi qëndrueshmërisë dhe mirëqenies së Ballkanit Perëndimor", theksoi kryeministri maqedonas, duke nënvizuar nga ana tjetër, aspiratat për integrim të shpejtë në Bashkimin Evropian.

"Përqëndrimi i qeverive duhet të ngelet tek BE-ja me që vendet e Ballkanit Perëndimor atje e kanë vendin", shtoi zoti Kovaçevski.

Memorandumi për bashkëpunim në fushën e energjisë ka të bëjë me interkonjekskionin i cili do të ndërtohet në mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të cilit shfaq interes t'i bashkohet edhe Serbia, sipas kryeministres Bërnabiç. Ajo tha se vendi i saj e mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, ndërsa paralajmëroi se më 5 prill do të nënshkruhet një memorandum shtesë për bashkëpunim në fushën e integrimeve evropiane midis Beogradit dhe Shkupit.

Media serbe i kushtoi hapësirë një platforme të njoftuar para pak ditësh në Shkup nga Ministritë e Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës të titulluar QUAD, duke u pyetur se cilat ishin motivet e tij dhe nëse kjo nismë do t'i konkurronte "Ballkanit të Hapur".

Analistë serbë komentojnë se nisma paraqet përpjekje për afirmimin e shtetësisë së Kosovës dhe përmes përfshirjes në këtë nismë, "Kosova të kanalizohet në integrimet evropiane".

Ndërkohë, Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili bëri të ditur në rrjetet sociale për nismën, shkruante se "Pas agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, harmonizimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët u bë një nga përparësitë më të rëndësishme të shteteve aspiruese për anëtarësim në BE, por dhe si mesazh i qartë se ku e kanë vendin këto shtete".
Ai shkruante më tej se katër vendet si partnere të besueshme të NATO-s dhe BE-së janë dëshmuar gjatë sanksioneve të BE-së dhe SHBA-ve, por edhe përmes ndihmave konkrete humanitare dhe teknike për Ukrainën.

XS
SM
MD
LG