Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i kërkoi homologut rus, Sergey Lavrov, që të lirojë menjëherë një gazetar të gazetës “Wall Street Journal”, i cili u ndalua javën e kaluar, si dhe amerikanin Paul Whelan të burgosur që nga viti 2018. Kryediplomati amerikan zhvilloi një bisedë të rrallë telefonike me homologun rus që nga fillimi i luftës në Ukrainë, njoftoi të dielën Departamenti i Shtetit.
Në bisedën telefonike me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, kryediplomati Blinken shprehu shqetësimin e thellë për ndalimin nga Kremlini të gazetarit Evan Gershkovich nën akuzat për spiunazh, njofton Departamenti i Shtetit. Sekretari Blinken bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm. Shefi i diplomacisë amerikane i kërkoi Kremlinin lirimin e menjëhershëm edhe të amerikanit Paul Whelan, të arrestuar gabimisht, thuhet në deklaratë.
Amerikani Paul Whelan ka qënë drejtor për sigurinë globale në kompaninë “BorgWarner”, një furnizues amerikan i pjesëve të këmbimit për makinat. Ai u ndalua në Rusi në dhjetor të vitit 2018 nën akuza për spiunazh. Qeveria ameriakne dhe familja e tij janë shprehur se akuzat janë të pabaza. Ai po vuan një dënim me 16 vjet burg.
Kryediplomati Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, po ashtu diskutuan për krijimin e një mjedisi ku misionet diploamtike mund të kryejnë detyrat e tyre, sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit.
Agjencia ruse e sigurisë FSB, pasardhëse e KGB-së, thotë se gazetari Gershkovich po mblidhte informacione mbi një ndërmarrje ushtarako-industriale. Autoritetet ruse e arrestuan atë javën e kaluar, hera e parë që nga Lufta e Ftohtë që një gazetar amerikan mbahet nën akuza për spiunazh.
Ministria e Jashtme ruse tha përmes një deklarate se kryediplomati Lavrov i theksoi homologut Blinken nevojën për të respektuar vendimet e autoriteteve ruse për rastin e gazetarit Gershkovich, për të cilin Moska pretendon pa prova se, "u kap në flagrancë".
Gazeta “Wall Street Journal” ka mohuar me vendosmëri akuzat dhe ka kërkuar lirimin e gazetarit Gershkovich. Zyrtarët amerikanë i kanë bërë gjithashtu thirrje Rusisë që ta lirojnë atë, ndërsa Presidenti Joe Biden u tha gazetarëve të premten se mesazhi i tij për Rusinë ishte "Lëreni të lirë".
Departamenti i Shtetit e cilësoi si të papranueshëm ndalimin e gazetarit Gershkovich.