Lidhje

Gjeorgjia e transformon Bakurianin në një qendër botërore të sportit të skive 


Fshati turistik i Bakurianit në Gjeorgji ishte mikëpritës i Kampionatit Botëror të stilit të lirë në ski si dhe Snowboard-it, i cili përfundoi më 5 mars. Para pavarësisë së vendit, fshati u quajt "Davosi Sovjetik" dhe tani synon të bëhet një vendpushim ndërkombëtar.

Gjeorgjia e transformon Bakurianin në një qendër botërore të sportit të skive
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:46 0:00

I famshëm për natyrën dhe shpatet e tij të bukura, fshati i vogël i Bakurianit në Gjeorgji, i cili shtrihet në vargmalin e Trialetit, ka tërhequr shumë njerëz për shumë dekada.

Në vitin 1935 në këtë zonë u hap shkolla e parë e skive dhe skiatorët nga Bashkimi Sovjetik u sollën këtu për të marrë pjesë në gara dhe stërvitje.

Mediat sovjetike madje e quanin atë "Davosi Sovjetik".

Pas fitimit të pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, Federata gjerogjiane e Skive filloi përpjekjet për ta shndërruar atë në një qendër sportive botërore dhe një pikë të njohur turistike.

"Kjo është një botë krejtësisht e re për të bërë ski, për njerëzit në mbarë botën. Fshati ofron një përvojë ekzotike. Gjeorgjia tani ka infrastrukturë të mrekullueshme si për të bërë ski ashtu edhe për snowboard-in. Vendi tani ka aftësinë të organizojë gara fantastike për atletët. Ne tani duhet të punojmë në angazhimin e të rinjve gjeorgjianë në këtë sport dhe në përmirësimin e aftësive të tyre", thotë Dean Gosper, president i Federatës australiane të Skive dhe Snowoboard-it, i cili është anëtar i Këshillit të Federatës Ndërkombëtare të Skive.

Shumëçka ka ndryshuar që nga koha kur entuziastët e sportit të skive ngjiteshin maleve në këmbë për t’u lëshuar më pas në pistat e skive në fshatin turistik.

Sot, Bakuriani ka 23 pista të ndryshme për ski, infrastrukturë të zhvilluar për këtë sport dhe biznese mikpritëse.

Për sportdashësit, Bakuriani ka patur gjithmonë më shumë potencial dhe ambicie për t'u bërë një destinacion sportiv malor dhe turistik me famë botërore.

Përparim i madh u arrit në vitin 2018, kur Bakuriani fitoi garën për organizimin e Kampionatit Botëror në stilin e lirë në ski.

"Ne vërtetë donim të krijonim një program që do ta shndërronte vendpushimin per ski në marketing për Gjeorgjinë, ku fëmijët do të mësojnë këtë sport, ku do do të hapeshin vende pune dhe shkolla për këtë qëllim ashtu si në Austri", thotë Patrick Lang, nënkryetar i Federatës gjeorgjiane të Skive.

Qeveria gjeorgjiane e pa këtë gjithashtu si një mundësi të shkëlqyer për të nxitur sportet dimërore në Gjeorgji dhe për të tërhequr më shumë turistë.

"Është përparësi kryesore e qeverisë që të vazhdojmë të zhvillojmë vendpushimet tona të skive. Bakuriani është një shembull i shkëlqyer i asaj që kemi arritur në një periudhë të shkurtër kohore. Ne kemi ndërtuar infrastrukturë të standardeve dhe cilësisë më të lartë. Kemi investuar më shumë se 103 milionë dollarë në infrastrukturën e ketij sporti", thotë Mariam Kvrivishvili, zëvendësministre e Gjeorgjisë për ekonominë dhe zhvillimin.

XS
SM
MD
LG