Lidhje

Socialistët premtojnë fushatë të thjeshtë për zgjedhjet e 14 majit


Kryetari socialist Rama me 61 kandidatët e partisë së tij në Tiranë
Kryetari socialist Rama me 61 kandidatët e partisë së tij në Tiranë

Në Shqipëri socialistët bënë të ditur të martën se fushata e tyre për zgjedhjet vendore të 14 majit, do të bazohet kryesisht të komunikimi me njerëzit duke hequr dorë nga mitingjet e mëdha dhe shpenzimet për propagandë elektorale. “Sa më pak zhurmë dhe sa më shumë komunikim dhe njerzillëk. Kemi vendosur ta përgjysmojmë minimalisht përdorimin e ekraneve të mëdha, të skenave pompoze, materialeve propagandistike”, deklaroi në mbrëmje kryeministri dhe kryetari i Partisë socialiste Edi Rama, në prani të 61 kandidatëve socialistë për bashkitë e vendit.

“Ne s’kemi arsye as për ndotje akustike, as për ndotje vizuale për të qenë në çdo cep, në çdo kthesë me fytyrat dhe me sloganet tona dhe as për ndotje gjuhësore dhe kështu, shkurtimin e shpenzimeve për propagandë elektorale, ne do ta kthejmë në një donacion pemësh për çdo bashki të vendit duke marrë pjesë edhe vetë në mbjelljen e tyre kudo ku kemi takime, sidomos tani në prill që është dhe pak a shumë muaji i fundit optimal për të mbjellë thuajse gjithçka”, u shpreh zoti Rama ndërsa më pas në lulishten ne qendër të Tiranës, e cila shtrihet pas monumentit të Skënderbeut, u mbollën 61 pemët e para.

Kryetari socialist, kërkoi nga kandidatët e tij që gjatë fushatës të meren sa më pak me kundërshtarët, ndonëse në fjalën e tij ai i kushtoi një pjesë të mirë pikërisht atyre, duke i etiketuar si “të dëshpëruar”, “hije të së shkuarës” apo “që janë bërë një arsye turpëruese për Shqipërinë në sytë e botës”. Sipas zotit Rama, “vota për të tjerët ka sjellë si rregull në shkallë kombëtare apo në shkallë lokale, më shumë dëme sesa të mira. Madje dëme tejet serioze, krejt të pariparueshme apo dëme të atilla që janë dashur vite e vite të riparohen”.

Socialistët patën 4 vitet e fundit kontrollin thuajse abosolut të Bashkive në të gjithë vendin, falë bojkotit të zgjedhjeve vendore të 2019 nga ana e opozitës. Këtë herë ata kanë sërish kundërshtarë që janë në momente të vështira, me forcën kryesore të opozitës të përçarë. Nën siglën e Partisë Demokratike, kandidatët për kryetarë bashkie janë të paktë në numër, ndërkohë që grupimi i drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha do të kandidojë në të gjitha bashkitë e vendit, por nën siglën e një koalicioni të udhëhequr nga Partia e Lirisë e ish presidentit Ilir Meta. Po ashtu dhe partitë e tjera të djathta kanë preferuar të grupohen në koalicione të tjera, apo të hyjnë në garë të vetme.

Për opozitën, këto zgjedhje vendore, po shihen më së shumti si një test politik ndaj qeverisë socialiste. Edhe mbrëmë gjatë një takimi në Tiranë, ish kryeministri Sali Berisha e konsideroi fushatën, të cilën ata do ta hapin me 15 prill, si “më të rëndësishmen që nga viti 1992. Janë zgjedhje lokale, por në fakt me rëndësi të jashtëzakonshme për ti prerë biletën Edi Ramës, shefit të narko shtetit të parë dhe të vetëm në Europë dhe për të rivendosur pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri”, deklaroi zoti Berisha.

XS
SM
MD
LG