Pashkët ortodokse po kremtohen edhe në Kosovë. Zyrtarët më të lartë vendas kanë përgëzuar besimtarët ortodoksë në Kosovë, që kryesisht i takojnë komunitetit serb, duke bërë thirrje për paqe dhe solidaritet.
Besimtarët ortodoksë në Kosovë, që kryesisht i takojnë komunitetit serb, po kremtojnë Festën e Pashkëve, ndërsa zyrtarët më të lartë vendas e ndërkombëtarë po i përgëzojnë ata me thirrjet për paqe e tolerancë.
Në urimin e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thekson se festat si pashkët janë manifestim i vlerave të përbashkëta njerëzore, humanizmit e solidaritetit me të cilat çdo betejë fitohet dhe ngjallet shpresa për të ardhmen. Ajo bëri thirrje për vazhdimin e traditës të kremtimit të festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video mesazhi uroi besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve.
“Ne do të vazhdojmë kujdesin tonë për ju, besimtarë ortodoksë, edhe duke garantuar më tej lirinë themelore të besimit, si dhe sigurinë e përgjithshme. Ju uroj që festat t’i kaloni në gëzim dhe paqe së bashku me familjen dhe fqinjët tuaj. Fryma e Pashkëve ju dhuroftë paqe, drejtësi dhe begati të gjithë juve, qytetarëve tanë”, tha kryeministri Kurti.
Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier përmes një postimi në faqen e tij në Twitter uroi besimtarët ortodoksë për pashkët.
Në të gjitha kishat ortodokse në Kosovë, mbrëmë janë mbajtur liturgji fetare, ndërsa në meshën e mesnatës në Manastirin e Deçanit rreth 90 kilometra në Jug të Prishtinës mori pjesë edhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili hyri me leje të autoriteteve në Kosovë. Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të qëndrojnë dhe se shteti serb do t’i mbështesë për një të ardhme më të mirë.
Të krishterët ortodoksë kremtojnë Pashkët një javë pas besimtarëve katolikë, në bazë të kalendarit të vjetër ortodoks.