Lidhje

Brenda qytetit ukrainas gjysëm i rrethuar nga forcat ruse 


Zëri i Amerikës udhëtoi drejt qytetit ukrainas Chasiv Yar, pranë Bakhmutit, ku po zhvillohet një nga betejat më të gjata dhe më të përgjakshme të luftës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, qyteti Chasiv Yar gjendet tashmë gjysmë i rrethuar nga forcat ruse.

Brenda qytetit ukrainas gjysëm i rrethuar nga forcat ruse
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:15 0:00

Në Chasiv Yar të Ukrainës, zyrtarët e qytetit thonë se vdekjet dhe bombardimet janë bërë tashmë të rregullta. Ata thonë se detyra e tyre kryesore është që t’i bindin njerëzit që gjenden ende këtu që të evakuohen.

“Shumë njerëz janë larguar tashmë, dhe kanë mbërritur disa ndihma humanitare. Duam t’i zhvendosim ndihmat në vend më të sigurtë”, thotë Yevgeni Dmytriev, administrator i qytetit.

Vendstrehimet ofrojnë elektricitet për të rimbushur telefonat, si dhe qasje në internet. Rreth 20% e popullsisë vazhdon të jetë në Chasiv Yar, por pjesa më e madhe e shërbimeve të qytetit nuk funksionojnë.

Në çdo lagje ka shtëpi dhe biznese të dëmtuara apo të shkatërruara.

“U dëmtua (godina). Gjithë dritaret ranë në tokë. I mbulojmë me qese plastike. I mbulojmë dhe jeta vazhdon”, thotë banori Alexandr.

Qyteti Chasiv Yar është rreth 10 kilometra nga qyteti Bakhmut, ku po zhvillohet beteja më e gjatë dhe më vdekjeprurëse në Ukrainë.

Zëri i Amerikës filmoi në qytetin Bakhmut në janar, kur qyteti po bombardohej rëndë. Shumica e vëzhguesve, si gazetarët dhe punonjësit e ndihmave, nuk kanë hyrë dot më në Bakhmut që prej një muaji. Në janar, civilët mbijetonin me vështirësi me ushqimet e ndihmave, të fshehur në strehime të nëndheshme.

Ndërsa punonjësit e ndihmave sjellin ushqime dhe ujë në vendstrehimet në Chasiv Yar, ata thonë se ky qytet ka filluar t’i ngjasojë Bakhmutit të para një muaji.

“Qyteti është i dëmtuar rëndë tashmë. Herën e fundit që ishim këtu, tre apo katër javë më parë, dukej në rregull”, thotë Alexandr Cverkovich, nga organizata “Fondi për Paqe dhe Mirësi”.

Ukraina thotë se synon të fillojë një kundërofensivë masive në pranverë, pas betejave dimërore që shkaktuan shumë viktima dhe që sollën pak përparim për të dyja palët.

XS
SM
MD
LG