Lidhje

SHBA, nevoja e rritjes së kufirit të huamarrjes


SHBA, nevoja e rritjes së kufirit të huamarrjes
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

SHBA, nevoja e rritjes së kufirit të huamarrjes

Zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë se Kina dhe Rusia do të përfitonin nga “kaosi” që do të pasonte nëse Shtetet e Bashkuara dështojnë të paguajnë borxhin. Paralajmërimet vijnë mes përplasjeve disa mujore mes Presidentit Joe Biden dhe republikanëve, lidhur me nevojën për të siguruar miratimin e Kongresit për të rritur tavanin e huamarrjes.

Ngërçi mes republikanëve që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Presidentit Joe Biden lidhur me tavanin e borxhit të vendit, kufiri ligjor në bazë të cilit qeveria amerikane mund të marrë hua për të paguar faturat e saj, është një dhuratë për kundërshtarët e Amerikës, thotë drejtoresha e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Shalanda Young.

“Ata duan të shohin kaos në sistemin amerikan. Duan që ne të mos i bëjmë detyrat tona themelore. Është një provë treguese e funksionimit të sistemit tonë. A funksionon akoma demokracia apo funksionon mënyra kineze?”

Dështimi amerikan për të paguar borxhet do të trondiste financat globale. Vendet kundërshtare si Rusia dhe Kina, mund të përfitonin nga situata që do të krijohej, duke zhvilluar një fushatë dezinformimi në rrjetet sociale, median qeveritare dhe platforma të tjera, thotë për Zërin e Amerikës Todd Helmus, ekspert për dezinformimin me Korportatën RAND.

“Rusia dhe Kina pretendojnë dështimet e demokracisë amerikane, në një përpjekje për të argumentuar se sistemi i qeverisjes së tyre është më i mirë se i yni. Shpesh kur shpërndajnë këtë përmbajtje, ata e bëjnë përmes kanaleve të shumta, të paktën në një mënyrë gjysmë të koordinuar. Mendoj se ata do ta përdornin këtë lloj taktike në të gjitha kanalet e komunikimit”.

Dikur rritja e kufirit të huamarrjes ishte një votim rutinë. Kongresi e ka ngritur tavanin e borxhit 78 herë që nga viti 1960. Në 49 raste vendi drejtohej nga presidentët republikanë dhe në 29 raste nga presidentët demokratë.

Por vitet e fundit, votimi është bërë gjithnjë e më partiak, duke çuar në ballafaqime intensive në vitet 2011 dhe 2013.

“Nëse Kongresi nuk e miraton rritjen e tavanit të borxhit në javët e ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të dështojnë të paguajnë detyrimet e tyre. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë amerikane”, tha Presidenti Barack Obama më 23 shtator të vitit 2013.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve këmbëngulin për uljen e shpenzimeve federale para se të pajtohen për rritjen e tavanit të huamarrjes.

“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve sapo miratuan projektligjin e vetëm në Uashington që heq kufirin e borxhit, i jep fund shpenzimeve të kota të Uashingtonit dhe e kthen Amerikën në rrugën e duhur ekonomike”, thotë Kryetari i Dhomës së përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy.

Presidenti Joe Biden thotë se nuk do të negociojë për këtë çështje.

“Nuk ka lidhje mes tyre. Nëse paguhet borxhi apo jo, nuk ka të bëjë aspak me buxhetin tuaj”.

Të martën është caktuar një takim në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit e të dy partive në Kongres.

XS
SM
MD
LG