Lidhje

Turqi, zgjedhjet presidenciale shkojnë në balotazh


Në Turqi, kreu i Bordit të Lartë të Zgjedhjeve konfirmoi se zgjedhjet presidenciale do të shkojnë në balotazh, pasi as Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe as rivali i tij kryesor opozitar, Kemal Kiliçdaroglu nuk morën më shumë se 50 për qind të votave të nevojshme për t’u shpallur fitues. Raundi i dytë I votimeve do të mbahen pas dy javësh, më 28 maj.

Pas numërimit të 99.4 për qind të votave brenda vendit dhe 84 për qind të votave nga jashtë, Presidenti Erdogan kryeson me 49.4 për qind të votave.

Rivali i tij opozitar Kiliçdaroglu mori 44.9 për qind, ndërsa kandidati i tretë për president, politikani nacionalist Sinan Ogan mori 5.2 për qind.

Misioni vëzhgues i OSBE-ODHIR-it tha se zgjedhjet e përgjithshme, që u karakterizuan nga një pjesëmarrje e lartë, ishin të mirë-organizuara, por, sipas vlerësimeve të organizatës, presidenti aktual dhe partitë në pushtet gëzonin një avantazh të padrejtë.

“Përveç kësaj, kufizimet e vazhdueshme të lirive themelore për tubim, organizim dhe shprehje penguan pjesëmarrjen në zgjedhje të disa politikanëve, partive opozitare, shoqërisë civile dhe mediave të pavarura, thanë sot vëzhguesit ndërkombëtarë”, tha koordinatori Michael Georg Link.

Në një fjalim para mbështetësve të tij në Ankara, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se ai do ta respektojë vendimin e votuesve.

"Nëse vendi ynë zgjedh një raund të dytë zgjedhjesh, ne do ta pranojmë”, tha zoti Erdogan.

69 vjeçari Erdogan, udhëheqësi më jetëgjatë i vendit që është është në pushtet prej 20 vjetësh, doli me një rezultat më të mirë nga sa ishte parashikuar.

Megjithatë kandidati opozitar, Kemal Kiliçdaroglu u shpreh optimist për një fitore në raudin e dytë.

" Kërkesa për ndryshim është mbi 50 për qind. Gjatë 15 ditëve të ardhshme, me popullin tonë, do të luftojmë për të mbrojtur liritë, ligjin dhe drejtësinë”, tha zoti Kiliçdaroglu.

Politikani nacionalist, Sinan Ogan, i cili doli i treti, tha se do ta mbështeste kandidatin opozitar Kemal Kiliçdaroglu në balotazh, nëse ai pajtohet që të mos bëjë lëshime me partinë pro-kurde.

"Ne e kemi bërë të qartë se lufta kundër terrorizmit dhe çështja e refugjatëve janë vijat tona të kuqe”, tha ai.

Presidenti aktual Erdogan dhe kundërshtari i tij Kiliçdaroglu, 74 vjeç, i kanë cilësuar këto zgjedhje si më të rëndësishmet në historinë e vendit.

"Sigurisht që jemi të pakënaqur me gjithë situatën. Prisnim rezultate të tjera”, thotë Volkan Atilgan, votues.

“Të shohim pas 15 ditësh. Mendoj se njerëzit do të kenë më shumë kohë të mendojnë”, thotë Gultekin Yetim, një votues tjetër.

"Dua drejtësi dhe barazi. Kam një fëmijë dhe situata në vendin tonë nuk është e mirë. Dua që gjendja të ndryshojë dhe të jetojmë ashtu siç e meritojmë”, thotë një e mbijetuar e tërmetit në Turqi.

"Nuk jam aspak i kënaqur me balotazhin. Do të doja që presidenti ynë të fitonte. Le të shohim se çfarë do të ndodhë, gjjithçka është e paqartë”, thotë një mbështetës i zotit Erdogan.

Më shumë se 64 milionë vetë, përfshirë votuesit jashtë vendit, kishin të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës.

Sipas agjencisë Associated Press, më shumë se 89 për qind e tyre votuan.

Rezultatet tregojnë se aleanca e udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e zotit Erdogan do të ruajë shumicën në parlamentin me 600 vende, megjithëse kuvendi turk humbi pushtetin legjislativ pas një referendumi për ndryshimin e sistemit qeverisës të vendit në një presidencë ekzekutive.

XS
SM
MD
LG