Në vitin 1948, familja e Intisar Muhanas u largua nga fshati al-Masmiyya, në verilindje të Gazas, gjatë luftës që u bë kur u krijua Izraeli. Javën e kaluar, ajo humbi sërish shtëpinë e saj, pasi u shkatërrua nga sulmet ajrore izraelite.
Familja e zonjës Muhana ishte ndër 75 mijë palestinezët që përllogariten të jenë dëbuar me forcë apo të jenë larguar nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së vitit 1948. Çdo vit, më 15 maj, palestinezët vajtojnë ditën e Nakbas, apo katastrofën, që rezultoi me shpronësimin e tyre.
Për ata që tashmë gjenden në Gaza, përvjetori është veçanërisht i hidhur pasi pesë ditë sulme ajrore të Izraelit ndaj grupit militant islamik Xhihad në këtë enklavë shkatërruan dhjetëra shtëpi dhe lanë qindra persona të pastrehë. Qindra raketa u lëshuan drejt Izraelit nga militantët palestinezë.
“Na e shkatërruan shtëpinë në al-Masmiyya dhe erdhëm këtu. Tani e bënë prapë dhe ne përfunduam pa asgjë”, thotë zonja Muhana. “Nuk kemi asgjë atje dhe tani nuk kemi asgjë këtu”.
Rreth 5.6 milionë refugjatë palestinezë, kryesisht pasardhës të atyre që u detyruan të largohen, tashmë jetojnë në Jordani, Liban, Siri, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe në Gaza. Rreth gjysma e refugjatëve të regjistruar mbeten pa shtetësi, sipas ministrisë së jashtme të palestinezëve; shumë prej tyre jetojnë në kampe të mbipopulluara.
Këtë vit, Kombet e Bashkuara do të kujtojnë Nakban për herë të parë. Në Bregun Perëndimor, ku palestinezët ushtrojnë një vetë-qeverisje të kufizuar nën regjimin ushtarak izraelit, sirenat do të bien për 75 sekonda, për të shënuar 75 vjetorin e Nakbas.
Negociatat për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve kanë ngecur prej vitesh, duke mos lënë hapësira për ndonjë marrëveshje për të cilën do të binin dakort palët. Ndërkohë, kujtimet janë të gjalla.
"Ata që thanë se të moshuarit do të vdesin dhe të rinjtë do të harrojnë, gabuan", tha Yacoub Odeh, i cili ishte 8 vjeç në luftën e vitit 1948 kur u largua mes luftimeve nga fshati i tij Lifta, në kodrat jashtë Jeruzalemit.
“Unë jam 83 vjeç, nuk kam harruar dhe nuk do ta harroj”.
Odeh, tani banor i Shu'afatit, rreth 7 km larg, viziton shpesh Liftan. Ai ende e quan fshatin shtëpinë e tij dhe dëshiron të kthehet me fëmijët dhe nipërit.
Një ditë pranvere ai shëtiti nëpër fshat, duke përshëndetur ndërtesat e braktisura si të ishin të gjalla: "Mirëmëngjes, shtëpi. Mirëmëngjesi, harqe dhe shtylla".
Shtëpitë në Lifta janë ende në këmbë por janë të pabanuara.
Për personat e brezave të lindur që nga viti 1948, si djali i zonjës Muhana, 56-vjeçari Mohammad, kujtimet mbahen të gjalla në historitë e familjes.
Ai tha se nëna e tij ka vazhduar t'u tregojë atyre për shtëpitë dhe arat që zotëronin në al-Masmiyya, një gojëdhënë që tani po ua tregojnë fëmijëve të tyre, në mënyrë që ata të mund ta mbajnë shpresën gjallë.
"Sigurisht, kam shpresë. Nëna ime 97-vjeçare çdo ditë më kërkon ta çoj në al-Masmiyya dhe ajo ende shpreson", tha Mohammad.
“Çfarëdo që të ndodhë dhe pa marrë parasysh sa herë ata bombardojnë, ne do të vazhdojmë të jetojmë të vendosur këtu”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen tha se diplomatët izraelitë kishin punuar për t’i bindur vendet e tjera që të mos merrnin pjesë në aktivitetin e OKB-së.
"Do ta luftojmë gënjeshtrën që quhet 'Nakba' me gjithë fuqinë tonë dhe nuk do të lejojmë që palestinezët të vazhdojnë të përhapin gënjeshtra dhe të shtrembërojnë historinë", tha ai, duke treguar se Izraeli nuk ishte dakord me pikëpamjen e palestinezëve për ato që ndodhën në vitin 1948.