Lidhje

SHBA, ende nuk ka marrëveshje për rritjen e tavanit të borxhit


Biden Debt Limit
Biden Debt Limit

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy tha se pati një diskutim produktiv për tavanin e borxhit me Presidentin Biden të hënën vonë në Shtëpinë e Bardhë, por ende nuk ka marrëveshje. Uashingtoni po përpiqet të arrijë një kompromis buxhetor për rritjen e kufirit të huamarrjes në kohë për të shmangur një krizë të shkaktuar nga pamundësia e qeverisë amerikane për të shlyer detyrimet e saj financiare.

SHBA, ende nuk ka marrëveshje për rritjen e tavanit të borxhit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:12 0:00

Ky është një moment vendimtar për presidentin demokrat dhe Kryetarin repiblikan të Dhomës së Përfaqësuesve, vetëm 10 ditë përpara skadimit të afatit për të rritur tavanin e borxhit.

Më 1 qershor, Shtetet e Bashkuara mund të mos kenë para të mjaftueshme për të shlyer borxhet dhe detyrimet e tjera financiare, një situatë e frikshme. Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha në një letër drejtuar Kongresit të hënën se "ka shumë gjasa" që Departamenti i Thesari mund të mos jetë në gjendje të paguajë të gjitha faturat e vendit.

“Ne të dy folëm për nevojën për një marrëveshje dypartiake”, tha Presidenti Biden në fillim të takimit.

Presidenti Biden tha se ishte "optimist se mund të arrijmë të bëjmë njëfarë përparimi."

Zoti McCarthy tha më pas se ata patën një “diskutim produktiv. Nuk kemi ende një marrëveshje.”

Çfarë do të thotë për ekonominë globale nëse SHBA nuk paguan borxhin e saj

Nëse kriza e borxhit që po trondit Uashingtonin do t'i detyronte Shtetet e Bashkuara të hynin në recesion, ekonomia e Amerikës nuk do të ishte e vetmja që do të vuante pasojat.

Mospagimi i borxhit federal, gjë që do të ndodhte për herë të parë në histori, do të ndikonte në mbarë botën. Porositë për fabrikat kineze që shesin pajisje elektronike në Shtetet e Bashkuara mund të ndalen. Investitorët zviceranë që kanë blerë bono të Thesarit të SHBA-së do të pësonin humbje. Kompanitë nga Sri Lanka nuk do mund të përdorin më dollarin si alternativë ndaj monedhës së tyre.

“Asnjë pjesë e ekonomisë globale nuk do të kursehej” nëse qeveria amerikane nuk shlyen detyrimet e saj dhe kriza nuk do të zgjidhej shpejt, thotë Mark Zandi, kryeekonomist tek organizata “Moody's Analytics”.

Zoti Zandi dhe dy kolegë tek “Moody's” kanë arritur në përfundimin se edhe nëse borxhi do të shkonte përtej kufirit aktual për jo më shumë se një javë, ekonomia e SHBA-së do të dobësohej aq shumë, aq shpejt, sa që do të eliminoheshin afërsisht 1.5 milionë vende pune.

Nëse një falimentim i qeverisë do të zgjaste shumë më gjatë, për shembull deri në verë, pasojat do të ishin shumë më të tmerrshme, shkruan zoti Zandi dhe kolegët e tij në analizën e tyre.

Sipas kësaj analize, rritja ekonomike e SHBA-së do të fundosej, 7.8 milionë vende pune në SHBA do të zhdukeshin, normat e huamarrjes do të rriteshin, shkalla e papunësisë do të rritej nga 3.4% sa është tani në 8% dhe një rënie e tregut të aksioneve do të eliminonte 10 trilion dollarë nga pasuritë e familjeve amerikane.

Natyrisht, mund të mos arrihet deri në atë pikë. Shtëpia e Bardhë dhe republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, në kërkim të një marrëveshjeje, përfunduan një raund negociatash për kufirin e borxhit të dielën, me plane për të rifilluar bisedimet të hënën. Republikanët kanë kërcënuar se do të lejojnë që të skadojë afati që qeveria të paguajë borxhin, ose të rritet tavani i tyre, duke refuzuar të rrisin kufirin e përcaktuar nga ligji për të marrë hua nëse Presidenti Joe Biden dhe demokratët nuk pranojnë shkurtime të mprehta të shpenzimeve dhe lëshime të tjera.

SA I SIGURT ËSHTË BORXHI I SHBA-së?

Ajo që e thellon pasigurinë është fakti se ka kaq shumë aktivitet financiar që varet nga besimi se Amerika gjithmonë i paguan detyrimet e saj financiare. Borxhi i saj, i konsideruar prej kohësh si tepër i sigurt, është një themel i tregtisë globale, i ndërtuar mbi dekada besimi në Shtetet e Bashkuara. Një dështim mund të dëmtojë rëndë tregun prej 24 trilion dollarësh për borxhin e Thesarit, të shkaktojë ngrirjen e tregjeve financiare dhe të shkaktojë një krizë ndërkombëtare.

Kërcënimi është shfaqur pikërisht në kohën kur ekonomia botërore po përballet me një mori kërcënimesh, nga rritja e inflacionit dhe normave të interesit, pasojat e vazhdueshme të sulmit rus në Ukrainë deri tek shtrëngimi i kontrolleve nga regjime autoritare. Krahas gjithë këtyre shqetësimeve, shumë vende janë bërë skeptike për rolin e rëndësishëm të Amerikës në financat globale.

Në të kaluarën, udhëheqësit politikë amerikanë në përgjithësi kanë arritur të shmangin afatin e fundit për të paguar borxhin ose kanë rritur kufirin e tij para se të ishte tepër vonë. Kongresi e ka ngritur, rishikuar ose zgjatur kufirin e huamarrjes 78 herë që nga viti 1960, së fundmi më 2021.

"VALËT SHOKUESE NDAJ SISTEMIT"

“Nëse besueshmëria e Thesarit do të dëmtohej për ndonjë arsye, kjo do të dërgonte valë tronditëse në sistem... dhe do të kishte pasoja të jashtëzakonshme për rritjen globale”, tha Maurice Obstfeld, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare dhe ish kryeekonomist tek Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Thesaret përdoren gjerësisht si kolateral për kreditë, si një mbrojtës kundër humbjeve të bankave, si një masë mbrojtëse në kohë pasigurie të lartë dhe si një vend për bankat qendrore për të lënë rezervat valutore.

Qeveritë e huaja dhe investitorët privatë mbajnë rreth 7.6 trilion dollarë të borxhit - afërsisht 31% e Thesarit në tregjet financiare.

Duke qenë se dominimi i dollarit e ka bërë atë de-facto monedhën globale që nga Lufta e Dytë Botërore, është relativisht e lehtë për Shtetet e Bashkuara të marrin hua dhe të financojnë një sërë borxhesh qeveritare gjithnjë në rritje.

Por kërkesa e lartë për dollarin gjithashtu i bën ato më të ekspozuara se monedhat e tjera dhe kjo imponon një kosto: një dollar i fortë i bën mallrat amerikane më të shtrenjta në krahasim me rivalët e tyre të huaj, duke i lënë eksportuesit amerikanë në një disavantazh konkurrues. Kjo është një arsye pse Shtetet e Bashkuara kanë deficite tregtare çdo vit që nga viti 1975.

STOQET E DOLLARËVE TË BANKAVE QENDRORE

Dollarët amerikanë përbëjnë 58% nga të gjitha rezervat valutore të mbajtura nga bankat qendrore të botës. Numri 2 është euro apo 20% i rezervave tek bankat qëndrore të botës dhe Juani i Kinës përbën nën 3%, sipas FMN-së.

Studiuesit e Rezervës Federale kanë llogaritur se nga viti 1999 deri në vitin 2019, 96% e tregtisë në Amerikë ishte faturuar në dollarë amerikanë ndërsa në Azi ishte 74% e tregtisë. Në vende të tjera jashtë Europës, ku dominon euro, dollarët përbënin 79% të tregtisë.

Dollari, megjithëse mbetet mbizotërues globalisht, ka humbur terren në vitet e fundit pasi më shumë banka, biznese dhe investitorë i janë drejtuar euros dhe, në një masë më të vogël, juanit të Kinës. Vendeve të tjera nuk u pëlqejnë luhatjet në vlerën e dollarit dhe se si kjo mund të dëmtojë monedhat dhe ekonomitë e tyre.

Një dollar në rritje mund të shkaktojë kriza jashtë vendit duke tërhequr investimet nga vendet e tjera dhe duke rritur koston e tyre për shlyerjen e huave në dollarë. Dëshira e Shteteve të Bashkuara për të përdorur ndikimin e dollarit për të vendosur sanksione financiare kundër rivalëve dhe kundërshtarëve shihet gjithashtu me shqetësim nga disa vende të tjera.

Megjithatë, deri më tani, nuk janë shfaqur alternativa të qarta. Euro mbetet shumë prapa dollarit. Aq më tepër juani i Kinës i penguar edhe nga refuzimi i Pekinit për të lejuar tregtimin e lirë të monedhës së tij në tregjet globale.

Por drama e tavanit të borxhit sigurisht që do të ngrejë pyetjet rreth fuqisë së madhe financiare të Shteteve të Bashkuara dhe dollarit.

“Ekonomia globale është në një pozitë mjaft të brishtë tani”, tha zoti Obstfeld.

“Kështu që futja në këtë kombinim faktorësh e një krize mbi besueshmërinë e detyrimeve të SHBA-së është tepër e papërgjegjshme.”

XS
SM
MD
LG