Një hetim tre vjeçar i realizuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit çoi të enjten në goditjen e dy grupeve kriminale të cilat merreshin me kultivimin e bimëve narkotike, cannabis sativa, dhe më pas tregtimin. Të paktën 8 persona u arrestuan ndërsa 5 të tjera janë shpallur në kërkim. Në këtë aktivitet, sipas një njoftimi të Prokurorisë së Posaçme, ishin të përfshirë dhe punonjës policie dhe kryepleq.
Aktiviteti i kultivimit të bimëve narkotike ishte përqëndruar në 6 fshatra të njësisë administrative Cudhi, të Krujës dhe zhvillohej në sipërfaqe tokash pyll. kryesisht me pronar “shtet”, zona kufitare me njëra-tjetrën. Sipas hetimeve “për kujdesin dhe ruajtjen e bimëve narkotike personat e dyshuar kanë punësuar punëtorë dhe kanë ngritur sisteme vaditje, më pas lënda narkotike është grumbulluar dhe përpunuar në vende të posaçme me qëllim hedhjen në treg të saj”
Prokuroria e posaçme, bën të ditur se “gjatë hetimit janë identifikuar dhe më pas kontrolluar zonat e kultivuara me bimë narkotike, ku dhe janë gjetur dhe asgjësuar mijëra bimë narkotike të mbjella në parcela të ndryshme dhe sasi të ndryshme”. Vetëm në njërin në vendet e grumbullimit të lëndës narkotike, është sekuestruar ndër të tjera dhe sasia prej 145.5 kg cannabis sativa, e paketuar në mënyrë të posaçme dhe e gatshme për tregtim.
Nga ana e saj policia njoftoi, po të enjten, se kishte zbuluar dhe më pas asgjesuar përmes djegies mbi 1 mijë fidanë bimë narkotike në tre operacione të zhvilluara në Krujë, Lezhë dhe Shkodër.