Në muajin gusht, arrestimi nën dyshimet për spiunazh i tre të rinjve Mikhail Zorin e Svetlana Timofleeva nga Rusia dhe Fedir Alpatov nga Ukraina, pranë ish Uzinës së armëve në Gramsh, u shoqërua me shumë zhurmë. Pas 9 muajsh në qeli, prokuroria nuk ka mundur të përmbyllë hetimet. Me skadimin e afateve të paraburgimit, ata do të hetohen në gjendje të lirë, në pamundësi për t’u larguar nga Shqipëria, duke qenë se pasaportat e tyre do të mbeten në duart e institucioneve të drejtësisë. I riu rus Zorin, i cili sulmoi dhe rojen ushtarake të ish Uzinës, është lënë në arrest shtëpie.
Orët e para që pasuan arrestimin e tyre, u shoqëruan me dyshimet e forta se bëhej fjalë për një aktivitet spiunazhi. Dhe vetë autoritetet e mbështetën këtë hipotezë, për t’u tërhequr më pas duke shpjeguar se ish uzina nuk ishte ndonjë objekt i rëndësisë së veçantë dhe se ishte jashtë funksionit, por duke këmbëngulur se ngjarja nuk mund të trajtohej si një incident i zakonshëm. Disa ditë Kryeministri Edi Rama do ta cilësonte “qesharake, të thuash që po bëj spiunazh duke fotografuar ato mbetje të komunizmit”, por duke shtuar se duhej zbuluar qëllimi i vërtetë i tyre.
Megjithatë, prokuroria e Elbasanit, nisi ndaj tyre hetimet për veprat penale "Goditje për shkak të detyrës" dhe “Sigurim i informatave” në bashkëpunim, ndërsa deklaronte në atë kohë se kishte dyshime të bazuara në prova se të rinjtë kishin ardhur në Shqipëri me mision, të rekrutuar nga shërbimet inteligjente ruse. Të rinjve ju gjetën pajisje fotografimi dhe filmimi, ku ishin zbuluar imazhe të objekteve ushtarake apo të infrastrukturës kritike, si ato të disa veprave hidroenergjitike të vendit.
Në Gjykatën e Elbasanit, ku u zhvilluan proceset gjyqësore për masat e sigurisë ndaj tyre, tre të rinjtë kanë mohuar të jenë pjesë e shërbimeve të huaja inteligjente dhe se kishin ardhur në Shqipëri për turizëm. 33 vjeçarja Timofleeva, e cila është spostuar me banim në Gjeorgji, pas konfliktit në Ukrainë, është një blogere, e njohur për foto nga objekte ushtarake, ndonëse me siguri të lartë. Në vitin 2012, fotografitë e saj nga brenda një fabrike raketash në afërsi të Moskës, patën jehonë jo të vogël.
Federata ruse kërkoi dhe ekstradimin e saj, duke qenë se një gjykatë e Moskës e kishte dënuar atë, dhe ajo ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”. Ekstradimi i saj u refuzua muajin e kaluar nga Gjykata e Elbasanit.