Lidhje

Tensione në veriun e Kosovës -protestuesit serbë përplasen me KFOR-in në Zveçan


Hungarian KFOR soldiers protect the entrance of the municipality office, in the town of Zvecan
Hungarian KFOR soldiers protect the entrance of the municipality office, in the town of Zvecan

Grupe qytetarësh serbë u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s në komunën e Zveçanit në veriun e Kosovës. Protestuesit serbë hodhën gaz lotsjellës, gurë e mjete të tjera të forta mbi pjesëtarët e NATO-s.

Që nga mëngjesi i së hënës grupe protestuesish u mblodhën në përpjekje për të hyrë në ndërtesat e komunave, në të cilat kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, hynë të premten mes tensionesh dhe nën përcjelljen e policisë.

Forcat e policisë së Kosovës dhe trupat e KFOR-it të drejtuara nga NATO-ja kanë shtuar praninë e tyre para ndërtesave të komunave.

Në Zveçan pati edhe gaz lotsjellës. Policia e Kosovës tha se “protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës. Policia është detyruar të përdor mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore politike të serbëve të Kosovës thanë se largimi i protestuesve nga rrugët do të ndodhë pas largimit të kryetarëve shqiptarë nga zyrat e komunave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë se KFOR-i ka shtuar praninë në katër komunat veriore të Kosovës, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione ose të shkaktojnë përshkallëzim”, thuhet në një njoftim të KFOR-it në të cilin theksohet se në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt në mënyrë të paanshme.

“KFOR-i u bën thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian për të ulur tensionet, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit”, thuhet në komunikatë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier u shpreh thellësisht i shqetësuar me situatën në veri pas një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai takoi gjatë ditës kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit që janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa me gjithë ftesën në takim nuk morën pjesë kryetarët e Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që janë nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti.

"Qeveria amerikane dhe vendet e QUINT-it së bashku e kanë thënë se është e rëndësishme të shmangen rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë me dhunë në ndërtesat publike. Ky mbetet qëndrimi ynë, prandaj biseda jonë me kryetarët ishte se si ata mund të përmbushin detyrat e tyre për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, siç pritet nga ta dhe siç ne duam që ata të veprojnë, por në një mënyrë që tregon se ata janë të përkushtuar për të qenë përgjegjës për të gjithë qytetarët, që për ne tani nënkupton mos hyrjen në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës”, tha ambasadori Hovenier.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka biseduar në telefon me ministrin e Jashtëm Italian, Antonio Tajani dhe “u pajtuam që gjendja e tanishme kërkon që të zbatohet Marrëveshja Bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe të qetësohet situata në veriun e Kosovës”.

Asociacioni i Gazetarëve kërkon mbrojtje për gazetarët që raportojnë nga veriu i Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha të hënën se grupe protestuesish serbë sulmuan një gazetar, që kaloi pa lëndime ndërsa dëmtuan makinat e disa ekipeve të mediave që po mbulojnë zhvillimet në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

AGK tha se makina e televizionit Tëvë1 fillimisht është sulmuar dhe më pas është djegur.

Po ashtu, tha ku Asociacion, "në një fotografi dërguar AGK-së, shihet se bluza e një kolegu është shqyer si shkak i tentimit të sulmit, nga i cili fatmirësisht nuk ka të lënduar” thuhet në njoftim duke shtuar se “në videot e publikuara në medie, shihen veturat e ‘RTV Dukagjini’ dhe “Kallxo’, me simbolin e motos jozyrtare të serbëve “Samo sloga Srbina spasava” (Vetëm uniteti i shpëton serbët), gomat e shpërthyera, si dhe mbulimin e shenjës Republika e Kosovës në targat e tyre”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësimin për situatën e krijuar për gazetarët të cilët po raportojnë nga këto komuna dhe kërkon kujdes gjatë raportimit.

“AGK-ja, e dënon këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale”, thuhet në njoftim.

Të premten grupe qytetarësh serb u përplasën me policinë e Kosovës e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe të hyjnë në zyrat e tyre. Zhvillimet e së premtes nxitën reagime të ashpra nga Beogradi, i cili ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan qeverinë e Kosovës për hyrjen me forcë në ndërtesat e komunave.

Të dielën në mbrëmje fuqitë perëndimore, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, paralajmëruan “të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisin tensionet ose konflikt”.

Kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kundërshtohen nga serbët dhe përfaqësuesit politik të tyre, të cilët bojkotuan këtë proces zgjedhor.

Udhëheqësit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, kërkuan të shtunën që Serbia të pezullojë të gjitha negociatat me qeverinë e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

XS
SM
MD
LG