Lidhje

Çikago shpall gjendjen e jashtëzakonshme për të përballuar fluksin e emigratëve 


Qyteti i Çikagos po has vështirësi të mëdha për të strehuar një valë të madhe emigrantësh, shumë prej tyre nga Amerika Qendrore dhe Jugore të transportuar atje pasi kaluan kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, njofton se si qyteti dhe agjencitë e ndihmave po mobilizohen për t’iu përgjigjur nevojave kritike të azilkërkuesve.

Çikago shpall gjendjen e jashtëzakonshme për të përballuar fluksin e emigratëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

Pas një udhëtimi disa mujor nga Venezuela, azilkërkuesja Lismar Pinto përfundimisht kaloi kufirin jugor amerikan. Ajo u transportua me autobus në një stacion policie në Çikago, dhe qëndroi tetë ditë në korridorin e ndërtesës.

“Ka qenë e vështirë, të paktën për ne. Ishim në një stacion ku kishte dhunues seksualë. Arritëm me dy nipërit, një 5 muajsh dhe tjetri 5 vjeç”, thotë për Zërin e Amerikës emigrantja nga Venezuela.

Zonja Pinto është mes qindra emigrantësh që mbërrijnë çdo javë në Çikago, një destinacion për shumë migrantë si ajo dhe bashkëudhëtari i saj Jose Moran, të cilët shpresojnë të fillojnë një jetë të re këtu, ndërsa kërkesat e tyre për azil shqyrtohen nga organet e imigracionit.

“Na kanë dhënë strehë dhe po na ndihmojnë me ushqime. Na kanë ofruar kujdes mjekësor dhe fëmijët po shkojnë në shkollë. Të gjitha këto kanë sjellë një ndryshim shumë të rëndësishëm në jetët tona”.

Numri i madh i emigrantëve të transportuar nga shtetet kufitare si Teksasi i ka tejkaluar kapacitetet e qendrave të strehimit dhe shërbimeve të ndihmave të Çikagos. Zyrtarët e qytetit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

“Është një krizë humanitare”.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Michael Rodriguez. Ai përfaqëson distriktin 22 të qytetit të Çikagos, ku ndodhet një prej komuniteteve më të mëdha latine dhe destinacion për shumë migrantë që kanë nevojë për ndihmë të përkohshme.

“Aktualisht i kemi plotësuar kapacitetet në sistemin tonë të strehimoreve me rreth 2800 shtretër. Kështu që mbeten rajonet e policisë dhe parqet si qendra të përkohshme strehimi”.

Organizatat jofitimprurëse po ofrojnë ndihmën e tyre, përshirë shoqatën “New Life Centers”, ku Matt DeMateo shërben si drejtor ekzekutiv.

“Të gjitha organizatat kontribuojnë me artikujt e nevojshëm, ushqime dhe rroba për familjet. Çikagoja ka një rrjet të fortë që ofron mbështetje”.

Rreth 9,000 emigrantë janë vendosur në Çikago që nga shtatori i vitit të kaluar. Organizata “New Life Centers” vlerëson se ka ndihmuar rreth një të tretën e tyre.

“Familjet nuk kanë asgjë. Janë të uritur, të lodhur, kanë kaluar nëpër ferr për të arritur këtu, dhe tani po kërkojnë shpresë dhe mundësi të reja”, thotë për Zërin e Amerikës Matt DeMateo, me orgnizatën “New Life Centers”.

Ushqimet e ofruara nga dyqani “Pan De Vida” tërheqin qindra migrantë çdo ditë, duke ndihmuar në ushqyerjen e azilkërkuesve si Jose Molina Povedor nga Kolumbia. Ai nuk mund të punojë ligjërisht derisa të zgjidhet çështja e tij e azilit, kështu që del vullnetar, ndërsa banon tek të afërmit e tij që tashmë jetojnë në qytet.

“Jam në pritje të dokumenteve që të mund të punoj dhe të jem një qytetar i denjë i Shteteve të Bashkuara”.

Zoti DeMateo thotë se organizata e tij po shton përpjekjet për të gjetur banesa të përhershme për emigrantët.

“Aktualisht rreth 10 familje në ditë po i largojmë nga qendrat e strehimit dhe po i vendosim nëpër aparatamente. Shpresojmë të vendosim rreth 500 familje në muaj në apartamentet e reja”.

Ndërsa në Çikago vazhdojnë prurjet e emigrantëve, zyrtarët e qytetit dhe të shtetit të Illinoit po kërkojnë më shumë ndihma federale për të përmbushur nevojat e tyre.

XS
SM
MD
LG