Autoritetet ruse thanë të mërkurën se si pasojë e sulmeve ukrainase në rajonin e Luhanskut, që shtrihet në lindje të Ukrainës, mbetën të vrarë pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë.
Sipas tyre, Ukraina kishte përdorur sistemet e raketave HIMARS, të siguruara nga Shtetet e Bashkuara.
Ushtria ukrainase nuk komentoi mbi këto akuza të Rusisë dhe shumë rrallë merr përsipër publikisht kryerjen e sulmeve të tilla.
Rusia kontrollon një pjesë të mirë të Luhanskut, një nga rajonet që Presidenti Vladimir Putin pretendoi se ankesoi vitin e kaluar, një akt që u kundërshtua nga komuniteti ndërkombëtar.
Shqetësime për termocentralin bërthamor të Zaporizhjas në Ukrainë
Kreu i agjencisë së OKB-së për Energjinë Bërthamore Rafael Grossi tha se bota ishte “me fat” që nuk ka ndodhur ende ndonjë aksident bërthamor në Ukrainë. Ai njoftoi një plan me 5 parime bazë, për të garantuar siç tha funksionimin e sigurt të centralit më të madh bërthamor në Evropë.
“Mendoj se këto parime janë thelbësorë për të shmangur rrezikun e një aksidenti katastrofik”, tha në Këshillim e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, ndërsa informonte mbi situatën në centralin bërthamor të Zaporizhjas në Ukrainë.
Pesë parimet përfshijnë angazhimin për të mos kryer asnjë lloj sulmi ndaj centralit, për të mos e përdorur objektin si një vend depozitimi për armatime të rënda apo bazë për personelin ushtarak. Po kështu zoti Grossi parashtroi si pjesë të këtyre parameve, mbrojten e të gjithë strukturës, garantimin e sigurisë së sistemeve dhe përbërësve kryesorë të centralit, si dhe ndaljen e çdo veprimi që mund të cënojë këto parime.
"Këto parime do të bëjnë të mundur që të përballemi më mirë me një situatë shumë të rëndë", u tha zoti Grossi gazetarëve.
Centrali i Zaporizhjas, që është nën kontrollin e forcave ruse që prej marsit të shkuar, është prekur disa herë nga bombardimet.
Në shtatë raste është përballur me ndërprerje të energjisë elektrike dhe është mbështetur tek gjeneratorët e emergjencës që punojnë me naftë, për të parandaluar një aksident bërthamor. Incidenti më i fundit, i tillë ndodhi më 22 maj.
Zoti Grossi i bëri thirrje si Rusisë, që ka marrë nën kontroll centralin, si dhe Ukrainës, që e zotëron atë, që të respektojnë parimet dhe u kërkoi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, që t’i mbështesin ato “në mënyrë të qartë”.
Ai tha se Agjencia Ndërkombëtare të Energjisë Atomike do të niste menjëherë një mission vëzhgimi për përmbushjen e këtyre detyrimeve përmes një ekipit të pasaçëm në centralin bërthamor dhe se agjencia do të “njoftonte publikisht” për çdo shkelje.
Moska dhe Kievi kanë akuzuar vazhdimisht njëra tjetrën për veprime ushtarake me objektiv centralin bërthamor.
Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Ambasadori Vassily Nebenzia tha se Moska ka marrë hapa të veçantë për mbrojtjen e strukturës dhe përbërësve kryesor të centralit.
"Rusia do të marrë masat më të ashpra për t'iu përgjigjur çdo sulmi të Ukrainës ndaj centralit bërthamor, infrastrukturës së saj kritike, duke përfshirë linjat e saj të energjisë, si dhe qytetin e Enerhodarit, ku jeton personeli i centralit dhe familjet e tyre”, tha ai para Këshillit.
I dërguari i Ukrainës tha se vendi i tij nuk ka bërë asnjëherë asgjë që mund të çonte në një aksident fatal në central duke thenë se Kievi i kuptonte “pasojat katastrofike” që do të shkaktonte një gjë e tillë për Ukrainën dhe fqinjët e saj.
“Për të hequr përfundimisht stresin e një aksidenti bërthamor që rrjedh nga prania e paligjshme ruse në central, trupat dhe armatimet duhet të tërhiqen, stacioni duhet të çlirohet nga pushtimi dhe të kthehet nën kontrollin legjitim dhe të plotë të Ukrainës”, tha ambasadori Sergiy Kyslytsya.
Zoti Grossi u tha gazetarëve se shpreson të kthehet në Ukrainë "së shpejti" dhe gjithashtu "pret të vizitojë Rusinë" si pjesë e përpjekjeve diplomatike të tij për t'u biseduar me të dyja palët.