Lidhje

Ish ministri Tahiri lë burgun, dënimin e mbetur do e vuajë në shtëpi


Në Shqipëri, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do ta kalojë kohën e mbetur të dënimit në shtëpi, dhe jo më në burg. Vendimi u mor sot nga Gjykata e Elbasanit. Ish ministri është dënuar me 3 vjet 4 muaj burgim, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Sipas Gjykatës, vendimi për vuajtjen e dënimit në banesë, u mor pasi atij i kanë mbetur më pak se dy vite burgim, ndërsa bashkëshortja e tij ka problem shëndetësore të cilat nuk i mundësojnë kujdesin e plotë ndaj fëmijeve të mitur. Sipas burimeve të Zërit të Amerikës, përfaqësuesë të komunitetit ndërkombëtarë janë shprehur të shqetësuar me vendimin e sotëm.

Ish ministri Tahiri lë burgun, dënimin e mbetur do e vuajë në shtëpi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Prej sot, 20 muajt e mbetur të dënimit, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, do t’i kalojë në banesën e tij. Pas vendimit të Gjykatës së Elbasanit, nën juridksionin e së cilës është dhe burgu i Lushnjes ku ai vuante dënimin, avokati Maks Haxhia, i cili ka mbrojtur ish ministrin, shpjegoi se klienti i tij plotësonte të gjitha kushtet e parashikuara me ligj, që nga rrezikshmëria e ulët shoqërore e veprës për të cilën ai është akuzuar, te rrezikshmëria e ulët që paraqet ai vetë si person, fakti që i kanë mbetur më pak se dy vjet dënim (20 muaj burg), që ka fëmijë të mitur në ngarkim, dhe se bashkëshortja ka probleme shëndetësore që nuk e lejojnë të kujdeset për fëmijët. “Ka një akt ekspertimi mjeko-ligjor, i cili vërteton se bashkëshortja vuan nga një sëmundje, e cila në momente krizash, ia bën të pamundur t’i shërbejë fëmijëve”, deklaroi zoti Haxhia.

Ish ministri i Brendshëm detyrohet që të mbajë kontakte me Shërbimin e provës, dhe sipas vendimit të Gjykatës, mund të lëvizë nga banesa vetëm “për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare kur Shërbimi i provës është dakort”.

Në Shkurt të vitit të kaluar, pas një odiseje të gjatë gjyqësore, zoti Tahiri u dënua nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila la në fuqi vendimin e marrë në vitin 2019 nga Gjykata e atëhershme e Krimeve të rënda, por me ndryshimin që dënimin do të duhej ta vuante në burg dhe jo me shërbim prove. Gjykata riformuloi në “Shpërdorim detyre”, akuzat e rënda të ngritur nga Prokuroria e posaçme, sipas së cilës ish ministri duhej të vuante 12 vite burg për “Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal”; “Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal”.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Elbasanit për Tahirin, sipas burimeve pranë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, në Tiranë, është pritur me shqetësim prej tyre, e për këtë arsye po kërkojnë dokumentat e procesit. Ambasadorja amerikane në Tiranë, përmes një postimi në rrjetin social Twitter shkruante se: "Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri".

Edhe opozita nga ana e saj u shpreh me nota kritike, duke e konsideruar “një turp të drejtësisë dhe si një nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, siç u shpreh në një deklaratë, kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.

Sipas tij “lirimi para kohe me kusht i tij është një tallje e drejtësisë me drejtësinë. Ndërsa qytetarët shqiptarë presin nga drejtësia e re ti jepet fund pandëshkueshmërisë, zyrtarët e lartë të korruptuar përfitojnë nga vendime gjyqësore thellësisht politike, që i shndërrojnë dënimet e tyre në qesharake”.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit 2018, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.

Çështja ndaj tij është ende në pritje të shprehjes së Gjykatës së Lartë, pas ankimimit të bërë si nga Prokuroria, e cila këmbëngul në akuzat e saj, por dhe nga vetë ish ministri, i cili e ka cilësuar “skandaloz” vendimin e Apelit të Posaçëm.

XS
SM
MD
LG