Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar rrëzoi sot kërkesën e ish kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, për një masë më të lehtë sigurie, duke konfirmuar arrestin në burg. Zoti Dako akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste, një për ndërtimin e një pallati në shkelje të shumë procedurave, dhe një tjetër për çështjen e pagesës së një projekti për një shëtitore në Durrës, vlera e së cilës rezulton sipas akuzës, 10 herë me e lartë se sa duhet të ishte sipas përllogaritjeve të përcaktuara në një vendim qeverie.
Zoti Dako i mohoi akuzat, duke pretenduar se nuk kishte bërë asnjë shkelje ligjore. Edhe avokati i tij Petrit Ismaili, deklaroi pas seancës se “Vendimi për mendimin tonë është në disproporcion të plotë me veprën penale që i atribuohet zotit Dako. Po hetohet për një fakt penal historik tanimë. Kanë kaluar 10-12 vjet nga koha për të cilën pretendohet të jetë kryer vepra penale. Nga ana tjetër, zoti Dako e ka ushtruar detyrën përmes orgaaneve kolegjiale të zgjedhura si dhe përmes strukturave organike. Çdo strukturë i ka të përcaktuara detyrat dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi Kryetari i Bashkisë për veprimet e strukturave që ka në varësi, aq më pak, për vedimet kolegjiale siç është rasti”, deklaroi zoti Ismaili.
Përveç zotit Dako, Prokuroria lëshoi dhe 9 urdhëra të tjerë arresti, për zyrtarë dhe ish zyrtarë të Bashkisë, apo dhe pronarin e kompanisë që ka kryer ndërtimin e pallatit Fiqiri Farruku. Tre prej tyre janë ende në kërkim. Ndërkohë Gjykata zbuti masat për tre të tjerë, duke vendosur “arrest në shtëpi” për dy prej tyre dhe “detyrim paraqitje” për një tjetër.