Lidhje

Kosova shënon 24 vjetorin e çlirimit, mes tensioneve në veri dhe mospajtimeve me aleatët


Kosovë, çlirimi
Kosovë, çlirimi

Kosova shënoi 24 vjetorin e çlirimit, mes tensioneve ne veri dhe mospajtimeve me aleatët lidhur me trajtimin e situatës në atë zonë.

Që nga 26 maji grupe qytetarësh serbë po protestojnë në komunat veriore, në kundërshtim të kryetarëve të rinj shqitparë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila u plagosën 30 pjesëtarë të forcave paqëruajtëse të NATO-s.

Kosova shënon 24 vjetorin e çlirimit, mes tensioneve në veri dhe mospajtimeve me aleatët
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

Shtetet e Bashkuara e kritikuan ashpër qeverinë e Kosovës për mungesë të bashkërendimit lidhur me veprimet në veri dhe e përjashtuan nga stërvitjet "Defender Europe 2023".

Kosovës po i kërkohet tërheqja e njësive të posaçme të policisë si dhe kryetarëve të komunave nga zyrat e tyre në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme në zonë. Bashkimi Evropian tha se palët do të përballen me pasoja nëse dështojnë të përmbushin kërkesat.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, nuk komentuan të hënën kërkesat perëndimore, ndërsa nderuan mes tjerash ushtarët e NATO-s që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë pas 12 qershorit të vitit 1999.

“Jemi mirënjohës dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës për vizionarët e shtetit, për presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë çdo gjë për të vendosur këto themele, për komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, si dhe mirënjohje e përjetshme për të gjithë miqtë tanë të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet që sot e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha presidentja Osmani.

“Kujtuam duke vendosur lule të freskëta dhe duke bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe kontributin e NATO-s. Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës”, tha kryeministri Kurti.

Me 12 qershor të vitit 1999 NATO-ja filloi operacionin e vendosjes së trupave paqerujatëse në Kosovë, pas një fushate 78 ditëshe të bombardimeve ndaj forcave serbe, që po atë ditë filluan largimin nga Kosova, duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare.

Nga 50 mijë trupa të NATO-s sa u vendosën 24 vjet më parë në Kosovë, numri i tyre është zvogluar vit pas viti. Por, javën e kaluar NATO-ja vendosi trupa shtesë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, të cilat kanë bërë që Kosova të përballet me një nga krizat më të thella në marrëdhëniet e saj me aleatët perëndimorë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në urimin e tij për 12 qershorin tha se sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga siç u shpreh ai “qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët”.

“Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve”, shkroi kryeministri Rama në rrjete sociale.

Nëntë vjet pas hyrjes së trupave të NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 që njihet nga mbi 100 vende të botës por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Të dyja vendet janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet mbeten të larta duke shtuar shqetësimin e diplomacisë perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.

XS
SM
MD
LG