Lidhje

SHBA, Maqedonia e Veriut nënshkruajnë udhërrëfyesin 10-vjeçar në fushën e mbrojtjes


Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan udhërrëfyesin për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llloyd Austin dhe Ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska nënshkruan të hënën në Pentagon dokumentin e njohur si udhërrëfyes që do të thellojë bashkëpunimin në dhjetë vitet e ardhshme në fushën e mbrojtjes dhe të ushtrive.

Sekretari Austin e quajti vendin e vogël ballkanik “një mik të madh të Shteteve të Bashkuara”, ndërsa tha se interesat dhe vlerat e përbashkëta “na shtyjnë të ndjekim një Evropë të lirë, të plotë dhe në paqe”.

Jam krenar që po nënshkruajmë udhërrëfyesin midis SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut. Ky udhërrëfyes shtron rrugën e bashkëpunimit për modernizimin dhe përqendrohet tek bashkëpunimi në fushën e sigurisë për t’u përballur me kërcënimet e sotme globale”, u shpreh zoti Austin.

Ministrja maqedonase theksoi se vendi i saj qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara në ballafaqimin me sfidat e përbashkëta të sigurisë. “Vitin e Kaluar, Shtetet e Bashkuara na dhanë mbështetje të jashtëzakonshme dhe që nuk ishte vetëm financiare. Shkëmbyem njohuri dhe përvoja; realizuam stërvitje të përbashkëta dhe jemi krenarë që bashkërisht kontribuojmë për sigurinë e NATO-s në rajon”, tha Ministrja Petrovska.

Sekretari Austin dhe ministrja Petrovska kanë diskutuar mbi gjendjen në Ukrainë dhe agresinin rus; për bashkëpunimin dhe rolin e Maqedojnisë së Veriut në Aleancën Veriatlantike të NATO-s dhe për sfida të tjera. Lidhur me agresionin rus kundër Ukrainës, Sekretari Austin ka theksuar mirënjohjet për punën dhe mbështetjen e Maqedonisë së Veriut ndaj popullit të Ukrainës “në këtë kohë të nevojshme”.

Sekretari amerikan, sipas një njoftimit të Pentagonit, bëri të ditur se do të vazhdojë të diskutojë mbi përparësitë e përbashkëta midis SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut gjatë takimit të nivelit të lartë që pritet të mbahet në muajin korrik në Vilnus të Lituanisë.

Maqedonia e Veriut i ka dërguar Ukrainës një numër tankesh të prodhuara gjatë periudhës sovjetike dhe pajisje të tjera ushtarake.

Ushtria e Maqedonisë së Veriut synon të modernizohet sipas standardeve të Aleancës së NATO-s dhe me mbështetjen amerikane. Deri në fund të vitit 2028 në Shkup pritet të arrijnë 96 automjete të blinduara të ushtrisë amerikane të tipit JLTV (Joint Light Tactical Vehicle).
XS
SM
MD
LG