Lidhje

Rusia thotë se Ukraina goditi urën që e lidh me Krimenë


A view shows the damaged Chonhar bridge connecting Russian-held parts of Ukraine's Kherson region to the Crimean peninsula
A view shows the damaged Chonhar bridge connecting Russian-held parts of Ukraine's Kherson region to the Crimean peninsula

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se po zhvillohen luftime të ashpra përgjatë vijave të frontit, por se forcat e tij po përparonin në jug të Ukrainës dhe po mbanin pozicionet mbrojtëse në pjesën lindore të vendit.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Grossi tha se situata e sigurisë në termocentralin bërthamor Zaporizhia është "jashtëzakonisht e brishtë" pas shkatërrimit të digës aty pranë qytetit Kakhovka dhe u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt të veprojnë për t'iu përmbajtur parimeve për të parandaluar një aksident bërthamor.

Zyrtarët rusë thanë të enjten se sulmet nga forcat ukrainase gjatë natës dëmtuan një urë që lidh gadishullin e Krimesë me rajonin Kherson të Ukrainës jugore.

Rusia e ka pushtuar Krimenë që nga aneksimi i saj në vitin 2014, një veprim i refuzuar nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Ura ndodhet në një rrugë të përdorur nga forcat ruse për të lëvizur midis Krimesë dhe pjesëve të tjera të Ukrainës nën kontrollin rus.

Sanksionet e BE-së

Bashkimi Evropian vendosi të mërkurën sanksione të reja kundër Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, duke vënë në shënjestër vendet ku bizneset kanë përdorur boshllëqet e krijuara në sanksionet e mëparshme për të vazhduar tregtinë me Rusinë, duke mbështetur efektivisht pushtimin 16-mujor të Presidentit Vladimir Putin.

BE-ja prej 27 vendeve anëtare kishte vendosur më parë 10 raunde sanksionesh kundër kompanive ruse, ndërsa ngriu pasuritë dhe vendosi ndalime udhëtimi për më shumë se 1000 zyrtarë.

Sanksionet e reja synojnë të pengojnë që materialet dhe mallrat kyçe të lidhura me luftën të arrijnë në Rusi nëpërmjet vendeve që tregtojnë me BE-në, por që gjithashtu kanë mbajtur një marrëdhënie biznesi të zakonshëm me Moskën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kreu i krahut ekzekutiv të BE-së, tha se sanksionet e reja "do t'i japin një goditje të mëtejshme makinës së luftës së Putinit me kufizime të forta të eksportit, duke synuar entitetet që mbështesin Kremlinin".

"Ne do të parandalojmë Rusinë që të ketë në dorë mallrat e sanksionuara," tha ajo.

Përveç sanksioneve kundër iranianëve që supozohet se furnizojnë Rusinë me drone, është hera e parë që BE-ja vë në shënjestër tregtinë përmes vendeve të tjera.

Paketa e re do të synojë gjithashtu 71 individë dhe 33 subjekte në lidhje me dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas në Rusi.

Aty përfshihet gjithashtu një ndalim për të hyrë në portet në BE të anijeve të angazhuara në transferime nga anije në anije, kur ekziston dyshimi se një varkë nuk po respekton ndalimin e importimit të naftës së papërpunuar ruse dhe produkteve të naftës. Përveç kësaj, paketa zgjat pezullimin e licencave të transmetimit në BE të pesë mediave ruse nën kontrollin e shtetit.

Zgjerimi i NATO-s

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, inkurajoi Turqinë të mërkurën që të mbështesë ratifikimin për pranimin e Suedisë në NATO.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se zoti Blinken shprehu mbështetjen që Suedia të pranohej në këtë kohë gjatë bisedimeve me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan në prapaskenat e një konference për rimëkëmbjen e Ukrainës në Londër.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Finlanda u bashkua zyrtarisht në prill. Pranimi i Suedisë është penguar nga kundërshtimet e Turqisë ndaj asaj që ajo thotë se është një mungesë veprimi nga Suedia kundër grupeve që Turqia i konsideron terroriste.

Në tre javë para mbledhjes së drejtuesve të NATO-s për një samit në Vilnius të Lituanisë, Suedia shprehu shpresën se do të jetë në gjendje t'i bashkohet aleancës.

Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom i tha agjencisë Reuters se parlamenti i Turqisë duhet të fillojë procesin e ratifikimit të ofertës suedeze për në NATO.

Suedia ka kryer një sërë reformash, duke përfshirë një ligj të ri kundër terrorizmit, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur me Turqinë vitin e kaluar për të adresuar shqetësimet e sigurisë.

"Gjykimi ynë është se ne kemi bërë atë që pritej prej nesh. Tani është koha që parlamenti turk të nisë procesin e ratifikimit," i tha ministri Billstrom agjencisë Reuters.

XS
SM
MD
LG