Lidhje

Biden, Modi hedhin poshtë kritikat për të drejtat e njeriut dhe demokracinë


Presidenti Joe Biden dhe Kryeministri indian Narendra Modi hodhën poshtë kritikat se diskutimet për të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike dolën në plan të dytë gjatë vizitës së udhëheqësit indian në Uashington. Shtëpia e Bardhë shtroi një darkë shtetërore ndërsa Kryeministri Modi mbajti një fjalim në Kongresin amerikan.

Biden, Modi hedhin poshtë kritikat për të drejtat e njeriut dhe demokracinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00

Presidenti Joe Biden theksoi marrëdhëniet e forta SHBA-Indi ndërsa priti në Shtëpinë e Bardhë Kryeministrin Narendra Modi të enjten.

“Prej kohësh kam besuar se marrëdhëniet midis Amerikës dhe Indisë do të jenë një nga marrëdhëniet më përcaktuese të shekullit të 21-të”, tha zoti Biden.

Kryeministri Modi u bëri jehonë marrëdhënieve, duke thënë se një rend i ri botëror po merr formë.

“Në këtë periudhë kohore, miqësia midis Indisë dhe SHBA-së do të jetë instrumentale në rritjen e fuqisë në mbarë botën”, tha ai.

Uashingtoni po i kushton vëmendje të lartë vendit me popullsinë më të madhe në botë mes konfliktit të Shteteve të Bashkuara me Rusinë dhe tensionit në rritje me Kinën. Kritikët thonë se Uashingtoni po e bën këtë në kurriz të të drejtave të njeriut, një pretendim i hedhur poshtë nga zoti Biden.

“Një nga arsyet themelore që Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të mira me Indinë, ndryshe nga Kina, është se mes vendeve tona ka një respekt të jashtëzakonshëm, sepse të dy vendet tona janë demokraci”, tha presidenti Biden.

Kryeministri Modi i hodhi poshtë akuzat se qeveria e tij vë në shënjestër pakicat fetare dhe u mbyll gojën kritikëve.

“Demokracia është në ADN-në e Indisë dhe Amerikës. Thellë në shpirtin tonë kemi demokracinë. Demokracia rrjedh në venat tona”.

Më shumë se 70 ligjvënës amerikanë i kishin kërkuar Presidentit Biden që të ngrinte çështjen e drejtave të njeriut dhe të vlerave demokratike gjatë takimit me Kryeministrin Modi. Senatori demokrat Ben Cardin është njëri prej tyre.

“Është një marrëdhënie shumë e rëndësishme me Shtetet e Bashkuara. Duhet ta mbështjellim atë me vlerat tona dhe India duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur të drejtat e njeriut të qytetarëve të saj”.

Megjithatë, Kryeministri Modi u ftua të mbante një fjalim në Kongresin amerikan, një nga nderimet më të larta që u rezervohet personaliteteve të huaja. Kryeministri i parë indian, që i drejtohet Kongresit amerikan dy herë, theksoi kontributin e miliona indiano-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara.

“Disa prej tyre ulen me krenari në këtë sallë. Një prej tyre, që ka hyrë në histori, qëndron këtu pas meje”, tha Kryeministri Modi duke iu drejtuar Nënpresidentes Kamala Harris.

Kryeministri indian theksoi bashkëpunimin në fushat kyçe, përfshirë mbrojtjen, teknologjitë kritike dhe ato në zhvillim. Shtëpia e Bardhë shtroi të enjten një darkë shtetërore në nderim të Kryeministrit Modi.

XS
SM
MD
LG