Lidhje

Prishtina akuzon presidentin serb se përmes grupeve kriminale po përpiqet të destabilizojë Kosovën


Autoritetet në Kosovë akuzuan të shtunën presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç se përmes grupeve kriminale po përpiqet të destabilizojë Kosovën.

Prishtina akuzon presidentin serb se përmes grupeve kriminale po përpiqet të destabilizojë Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:26 0:00

Këto komente u bënë në Mitrovicën e Jugut, ku policia paraqiti një sasi të konsiderueshme armësh, përfshirë raketahedhëse krahu, mjete shpërthyese, armë automatike dhe uniforma ushtarake të cilat janë gjetur në një makinë me targa të Beogradit, në qytetin e Zveçanit të banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelel Sveçla, tha se policia ka shmangur një sulm terrorist ndaj institucioneve të Kosovës.

Pajisjet janë të formacionit kriminal e terrorist “Mbrojtja civile” të cilat shërbejnë për shkaktimin e trazirave e sulmeve. Këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. E gjithë kjo është edhe një dëshmi e radhës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”, tha ai.

Ministri Sveçla u bëri thirrje autoriteteve në Beograd t’u japin fund përpjekjeve për përkeqësim të situatës në Kosovë.

Pra në këto prova e gjeni veturën e institucioneve të shtetit Serbisë, radiolidhje të zyrtarëve serbë në Kosovë, simbole të Rusisë dhe organizimit terrorist “Severna Brigada”. Panorama është më e qartë se kurrë. Granatat e dorës janë prodhim serb i vitit 2021, që do të thotë se nuk janë armë që kanë mbetur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, por janë të furnizuara drejtpërdrejt nga ushtria e Serbisë”, tha zoti Sveçla.

Por autoritetet në Serbi hodhën poshtë pohimet e institucioneve në Kosovë ndërsa akuzuan policinë e Kosovës se i kanë vendosur vetë armët në mënyrë që të përdoren si pretekst për arrestime të reja dhe dëbimin e serbëve.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha në një konferencë për shtyp në Beograd se veprimet e Prishtinës synojnë të “shkaktojnë incidente të reja dhe të krijojnë hapësirë që (Albin) Kurti të bëjë arrestime të pabaza në veri, të krijojë kriza të reja dhe të çojë në konflikte”.

Policia e Kosovës arrestoi të premten një qytetar serb në veri të Mitrovicës, nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj forcave të KFOR-it më 29 maj, kur të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse mbetën të plagosur.

Të premten Serbia përsëriti kërcënimin për ndërhyrje të armatosur në Kosovë, nëse paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja nuk veprojnë për të mbrojtur pakicën serbe nga, siç u tha, “përndjekjet” nga autoritetet e Prishtinës.

Këto veprime nxitën reagimin e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, i cili u shpreh “i alarmuar” me situatën e tensionuar në veri të Kosovës për “arrestimet e jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës duke parakaluar në jug të Mitrovicës, shoqëruar me gjuhë të rëndë nga Serbia”.

Ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha sot se asnjë veprim i policisë së Kosovës nuk është duke u bërë jashtë ligjit.

Unë ftoj (Josef) Borrellin që të adresojë drejt agresionin e Serbisë ndaj Kosovës, të luajë rolin e tij si ndërmjetës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe me deklarata të përgjegjshme të parandalojë çfarëdo eskalimi të situatës, çfarëdo trimërimi të këtyre grupeve kriminale e tash edhe terroriste”, tha ai.

Zoti Sveçla tha se do kërkojë nga qeveria e Kosovës që organizatat, “Mbrojtja Civile” dhe “Severna Brigada”, të shpallen organizata terroriste gjë që do ta bënte luftën ndaj tyre më të frytshme.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën në fund të muajit të kaluar kur autoritetet nisën të zbatojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.

Diplomacia perëndimore po bën thirrje për uljen e tensioneve mes shqetësimeve që situata e sigurisë mund të përkeqësohet.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë të hënën për situatën dhe rrjedhën e bisedimeve, ndërsa blloku ka paralajmëruar palët se do të përballen me pasoja nëse nuk punojnë për shtensionimin e gjendjes në terren.

XS
SM
MD
LG