Lidhje

Kosovë, dy të vdekur nga përmbytjet në komunën e Pejës


Pamje nga përmbytjet e muajit janar 2023 në disa qytete të Kosovës
Pamje nga përmbytjet e muajit janar 2023 në disa qytete të Kosovës

Autoritetet në Kosovë thanë se një fëmijë 5 vjeç dhe e ëma e tij kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e përmbytjeve që goditën mbrëmjen e së shtunës qytetin e Pejës, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Autoritetet qendrore thanë se janë në bashkërendim të vazhdueshëm me komunën e Pejës për të ndihmuar qytetarët e prekur nga përmbytjet.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri e përshkroi situatën të rëndë dhe të hidhur për qytetin. Ai tha se ekipet janë në terren dhe po e vëzhgojnë gjendjen e krijuar nga përmbytjet.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se humbja e dy qytetarëve si pasojë e përmbytjeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën.

Ajo shkroi në rrjetet sociale se “Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, shkroi ajo.

Edhe udhëheqës të tjerë institucionesh e partish politike u shprehën të tronditur me ngjarjen.

Kosova është përballur me përmbytje në disa qytete edhe në fillim të këtij viti. Disa qytete si Istogu, Klina, Peja, Gjakova, Skenderaj, Mitrovica e Podujeva, pësuan dëme të mëdha materiale, por pa dëme në njerëz.

XS
SM
MD
LG