Lidhje

Ndikimi i rebelimit të grupit Wagner në Rusi dhe lufta në Ukrainë


Wagner
Wagner

Shtëpia e Bardhë thotë se është “shumë herët” për të kuptuar ndikimin e ngjarjeve dramatike të fundjavës në Rusi mbi rrjedhën e luftës në Ukrainë, apo në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi. Por analistët thonë se rebelimi i grupit Wagner ekspozoi dobësitë e Putinit dhe ishte një kërcënim të cilin ai nuk e priste.

Ndikimi i rebelimit të grupit Wagner në Rusi dhe lufta në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Gjatë fundjavës, shefi i Grupit Wagner Yevgeny Prigozhin ndërpreu marshimin e luftëtarëve të tij që ndodheshin vetëm 200 kilometra larg Moskës dhe pranoi një ofertë të Kremlinit, që ai të largohej në Bjellorusi. Kjo, në fakt, mund ta neutralizojë atë dhe mercenarët e tij.

Kjo ngjarje u interpretua ndryshe në Uashington.

“Nuk mund të them se ajo që ndodhi gjatë fundjavës do të shkaktojë ndonjë ndryshim të madh në çështjet më të mëdha. Duhet të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Ai tha se presidenti Joe Biden u mbajt i informuar orë pas ore për ngjarjet në Rusi gjatë fundjavës. Dhe të hënën, Presidenti Biden iu përgjigj një pyetjeje kritike:

“E kemi bërë të qartë se nuk kemi qenë të përfshirë në këto ngjarje. Nuk kishim asnjë lidhje me këtë. Kjo është pjesë e një lufte brenda sistemit rus”, tha ai.

Në një fjalim të hënën, zoti Putin u duk se vuri në pikëpyetje komentet e Presidentit Biden.

“Ishte pikërisht ky rezultat, vëllavrasja, që dëshironin armiqtë e Rusisë, neo-nazistët në Kiev, klientët e tyre perëndimorë dhe tradhtarët kombëtarë”, tha ai.

Analisti Leon Aron i tha Zërit të Amerikës se një gjë është e qartë rreth ngjarjeve të fundit.

“Mendoj se miqësia mes tyre ka mbaruar. Pyetja kryesore është nëse Putini mund ta falë Prigozhinin. Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, nuk bënë asnjë lëvizje pa u konsultuar paraprakisht me zotin Putin. Pra, çfarëdo garancie që ai i ka dhënë zotit Prigozhin mund të mos ketë asnjë vlerë”, tha ai.

A mund të përfitojë Ukraina nga trazirat në Rusi?

“Sigurisht, kjo mund të krijojë disa mundësi të reja, por ne nuk duhet të nxitojmë. Ne duhet t’i shfrytëzojmë ato nëse përputhen me planin që Ukraina tashmë e ka përcaktuar”, thotë gjenerali Philip Breedlove, ish-komandant i trupave amerikane në Evropë.

Zyrtarët ukrainas thonë se rebelimi i Grupit Wagner i dha një avantazh Ukrainës dhe ekspozoi dobësitë në udhëheqjen e Putinit.

“Sot bota pa që bosët e Rusisë nuk kontrollojnë asgjë. Asgjë fare. Kaos i plotë. Një situatë plotësisht e paparashikueshme”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Analistët parashikojnë më shumë trazira brenda Rusisë.

“Jam i bindur se ky nuk është fundi. Ky është akti i parë i trazirave të ardhshme ruse. Për Putinin, kërcënimi u shfaq aty ku ai nuk e priste, nga "kampi i luftës", tha për Zërin e Amerikës analisti Volodymyr Fesenko.

Ndërsa ukrainasit vënë në dyshim motivin e Prigozhinit për kryengritjen dhe atë që ndodhi prapa skenës, shumë analistë mendojnë se ajo erdhi në kohën e duhur gjatë kundërofensivës së Ukrainës kundër forcave ruse.

XS
SM
MD
LG