Ukraina dhe aleatët perëndimorë kanë çelur një qendër të re në Hagë që do të hetojë udhëheqësit rusë për krimet e kryera në Ukrainë, që pas fillimit të sulmit në shkurt të vitit 2022.
Një entitet i ri në Hagë, i njohur me emrin Qendra Ndërkombëtare për Hetimin e Krimeve të Agresionit ndaj Ukrainës, do të mbledhë prova rreth vendimit të udhëheqësve rusë për të sulmuar vendin fqinj.
“Sot mblidhemi në një moment vërtet historik, një moment që përkufizon epokën që jetojmë, kur bota e civilizuar jo vetëm deklaron, por edhe e tregon me vepra, se llogaridhënia ka rëndësi parësore”, tha Andriy Kostin, Prokuror i Përgjithshëm i Ukrainës.
Prokurorë nga Ukraina, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të përpilojnë një çështje hetimore ndaj Rusisë.
Qendra do të bashkëpunojë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale, e cila po heton tashmë për krime lufte dhe për krime ndaj njerëzimit, por jo për krimin e agresionit, që nënkupton përdorimin e forcës së armatosur nga një shtet kundër sovranitetit, integritetit territorial apo pavarësisë së një shteti tjetër.
“Çështja e agresionit, vendimi për të filluar një luftë të paligjshme, është jashtë juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, thotë Philippe Sands, ekspert i drejtësisë ndërkombëtare.
Krimi i agresionit u vu re për herë të parë gjatë gjyqit të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe hetimit të udhëheqësve nazistë. Në atë kohë ato quheshin ‘krime ndaj paqes”.
Aktualisht nuk ekziston një gjykatë me juridiksion për një çështje të tillë. Por është jetike që ata që filluan sulmin ndaj Ukrainës, përfshirë Presidentin rus Vladimir Putin, të hetohen për krimin e agresionit, thotë zoti Sands.
“Përse? Sepse është i vetmi krim që është i udhëheqësve, është i vetmi që të çon drejt e tek kreu i tavolinës. Dhe sepse është krimi që e pasojnë krimet e tjera; nëse nuk do të kishte patur luftë, nuk do të flisnim për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit”, thotë zoti Sands.
Vendet aleate të Rusisë pritet ta kundërshtojnë krijimin e një gjykate globale, si gjyqi i Nurembergut.
“Nuk është e sigurtë nëse dhe kur do të krijohej një gjykatë. Në fund të fundit, mund të jetë një gjykatë evropiane apo rajonale, në vend të një gjykate globale. Kjo mund të jetë zgjidhja për të dalë nga kjo situatë politike”, thotë zoti Sands.
Ukraina thotë se ka dokumentuar mbi 400 mijë krime të lidhura me sulmin e Rusisë: vrasjet e qëllimshme të civilëve, si sulmi me raketë javën e kaluar ndaj një restoranti; dhuna seksuale; torturat; si dhe zhvendosja me forcë e civilëve, përfshirë fëmijët.
Kievi shpreson që udhëheqësit rusë të quhen fajtorë për fillimin e luftës.
Moska mohon krimet e luftës, krimet ndaj njerëzimit dhe krimin e agresionit.