Drejtori i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi njoftoi dorëheqjen e parevokueshme pak muaj pas rikthimit të tij në detyrë.
Në shkurt të këtij vitit, Ardian Koçi u pushua nga puna pas një interviste për Zërin e Amerikës lidhur me turizmin natyror në Shqipëri dhe si shkak sipas Agjencisë ishte mos-marrja e lejes tek eprorët për intervistën.
Agjencia e anuloi urdhërin pas ndërhyrjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nga e cila varet dhe vetëm pak ditë më pas dhe zoti Koçi u rikthye në detyrë duke tërhequr një padi që kishte depozituar në gjykatën civile të Lushnjës.
“Personaliteti dhe profesionalizmi im nuk më lejon të punoj në këto kushte", thotë zoti Koçi duke publikuar edhe letrën e dorëheqjes drejtuar drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi.
Në letër zoti Koçi përmend “mungesën e komunikimit “ me drejtoreshën e Përgjithshme, Daniel Pirushi dhe “ mungesën e kushteve normale për vazhdimin e ushtrimit të detyrës" dhe rendit disa nga arsyet e kësaj situate.
Sipas tij “stafi i Parkut është i paplotësuar, emërimet janë bërë pa marrë mendimin e parkut dhe janë bërë emërime të punonjësve larg zonave të mbrojtura dhe që nuk mund të kryejnë detyrat”.
Zoti Koçi flet edhe për vështirësi konkrete si “vonesa në zgjidhjen e problemeve që paraqiten, mungesë e theksuar të karburantit për mjetet, që nuk lejojnë kryejen e detyrave, mungesë uniformash”, etj.
Deri në publikimin e këtij shkrimi as Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe as Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk iu përgjigjën interesimit të Zërit të Amerikës për një reagim mbi dorëheqjen e zotit Koçi dhe pretendimet e tij.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, me rreth 22 mijë ha, është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit pasi ka përqëndrimin më të lartë të shpendëve ujorë me rreth 51 mijë individë ndërsa 89 specie të ndryshme i përkasin kategorive shumë të rrezikuara.
Tendenca e ndërtimeve, presioni turistik, por edhe zhvillimi i serave bujqësore pa kriter, përbëjnë një kërcënim për zonën natyrore të Parkut