Lidhje

Bombat thërrmuese, pjesë e ndihmës së re amerikane për Ukrainën


Ukrainian servicemen prepare to fire a 2S22 Bohdana self-propelled howitzer towards Russian troops at a position near the city of Bakhmut in Donetsk region, Ukraine, July 5, 2023.
Ukrainian servicemen prepare to fire a 2S22 Bohdana self-propelled howitzer towards Russian troops at a position near the city of Bakhmut in Donetsk region, Ukraine, July 5, 2023.

Pentagoni do të dërgojë në Ukrainë mijëra bomba thërrmuese në kuadër të një pakete të re ndihmash ushtarake prej 800 milionë dollarësh. Vendimi vjen pavarësisht shqetësimeve të përhapura se këto lloje bombash mund të shkaktojnë viktima civile. Pentagoni do të ofrojë municione që kanë një "normë pashpërthyeshmërie" të reduktuar, që do të thotë se do të ketë shumë më pak raunde të pashpërthyera bombash që mund të rezultojnë në vdekje të paqëllimshme civile.

Bombat thërrmuese hapen në ajër për të goditur disa objektiva në të njëjtën kohë.

Armët do të vijnë nga rezervat e Pentagonit dhe do të përfshijnë automjete të blinduara “Bradley” dhe “Stryker” dhe një sërë municionesh, përfshirë ato të artilerisë së rëndë të llojit HIMARS, tha Nënsekretari i Mbrojtjes për politikat, Colin Kahl në një konferencë me gazetarët të premten në Pentagon.

Të kërkuara prej kohësh nga Ukraina, bombat thërrmuese janë armë që hapen në ajër, duke lëshuar bomba më të vogla të cilat shpërndahen në një zonë të madhe dhe kanë për qëllim të shkatërrojnë objektiva të shumtë në të njëjtën kohë.

Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar armët për të ndihmuar fushatën e tyre për të zbrapsur trupat ruse dhe për të arritur fitore në kundërsulmin e vazhdueshëm. Forcat ruse po përdorin tashmë bomba thërrmuese në fushën e betejës dhe në zonat e populluara civile, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, disa municione thërrmuese lënë pas "bomba" që kanë një shkallë të lartë dështimi për të shpërthyer - deri në 40 për qind në disa raste. Zyrtarët amerikanë thanë të enjten se shkalla e municioneve të pashpërthyera për bombat që do të shkojnë në Ukrainë është më pak se 3 për qind dhe për këtë arsye do të thotë më pak kërcënime për civilët.

Bombat thërrmuese mund të gjuhen me artileri që Shtetet e Bashkuara tashmë i kanë ofruar Ukrainës dhe Pentagoni ka një rezervë të madhe të tyre.

Sipas Pentagonit, përdorimi i fundit nga Shtetet e Bashkuara në shkallë të gjerë i bombave thërrmuese ishte gjatë sulmit në Irak në vitin 2003. Por forcat amerikane i konsideruan ato një armë kyçe gjatë pushtimit të Afganistanit në vitin 2001, sipas organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch”. Në tre vitet e para të atij konflikti, vlerësohet se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara hodhi më shumë se 1500 bomba thërrmuese në Afganistan.

Përkrahësit e ndalimit të bombave thërrmuese thonë se ato vrasin pa dallim dhe rrezikojnë civilët shumë kohë pas përdorimit të tyre.

Konventa për ndalimin e përdorimit të bombave thërrmuese është nënshkruar nga më shumë se 120 vende, përfshirë Gjermaninë. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina janë ndër vendet që nuk e kanë nënshkruar atë.

Sullivan: Rekomandim unanim nga këshilltarët e sigurisë për të dërguar bomba thërrmuese në Ukrainë

Gjatë një konference për shtyp para njoftimit të pakos së re ushtarake nga Pentagoni, Jake Sullivan, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, mbrojti vendimin për dërgimin e bombave thërrmuese në Ukrainë.

Ai tha se Rusia ka përdorur municione të tilla kundër Ukrainës që nga fillimi i konfliktit duke shtuar se përdorimi i predhave të artilerisë nga Ukraina është aq i shpeshtë, sa është e vështirë që sigurohet prodhim i mjaftueshëm, për të mbuluar nevojat.

Jake Sullivan
Jake Sullivan

Zoti Sullivan foli dhe mbi takimin e ardhshëm të NATO-s. Ndërsa Ukraina nuk pritet të bëhet anëtare e aleancës gjatë këtij takimit, anëtarët e saj, do të diskutojnë rreth hapave të nevojshëm që Kievi të kualifikohet për anëtarësim në aleancën ushtarake, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan tha se takimi i Vilniusit në Lituani, do të jetë një hap i rëndësishëm në rrugën e Ukrainës për t'u bërë pjesë e aleancës.

XS
SM
MD
LG