Lidhje

Shkup, arrestime për përfitime të paligjshme, pastrim parash dhe evazion fiskal


Policia maqedonase ka ndaluar një numër personash të dyshuar për pastrim parash, evazion fiskal, shpërdorim të detyrës dhe shkelje të tjera. Në mesin e të ndaluarve ka biznesmenë dhe inspektorë të agjensive shtetërore.

Sipas prokurorisë, pas një hetimi njëmujor, të mërkurën është lëshuar urdhër-ndalimi kundër 15 personave. Sipas organeve të hetuesisë, 11 prej të dyshuarve akuzohen për “bashkëpunim për veprim kriminal”, ndërsa nëntë prej tyre dyshohen për evazion fiskal.

Një person tjetër, që sipas prokurorisë ka mbajtur pozita drejtuese në Agjencinë e të Hyrave Publike, veç akuzave të lartpërmendura, dyshohet edhe për pastrim parash dhe përfitime të tjera të paligjshme.

Shtypi lokal, identifikon mes të arrestuarve edhe Ismet Gurin, deri para pak kohësh Zëvendës-drejtor i Agjencisë për të Hyrat Publike.

Të dyshuarit përmes veprimeve të tyre ilegale dhe fiktive kishin arritur të përvetësonin pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, makina luksoze dhe pasuri të tjera, të cilat më pas ua shisnin personave të tretë me para në dorë, ndërsa me marrëveshje fiktive me njeri tjetrin krijonin fatura të rreme me TVSH, që pastaj të kërkonin kompensim të borxhit tatimor nga Agjencia e të Hyrave Publike.

Të dyshuarit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit me një vlerë prej rreth 840 mijë eurosh, sipas Prokurorisë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.

Ismet Guri është pjesëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Para pak ditësh ai u dënua për një rast tjetër me 3 vjet e gjysmë burg, së bashku me një anëtar tjetër të BDI-së, ish deputetin Ejup Halimi, nën akuzat për manipulime zgjedhore, përkatësisht shkatërrimin e materialeve zgjedhore në komunën e Çairit në Shkup në vitin 2013.

Zoti Guri duket të jetë afruar kohët e fundit me fraksionin e BDI-së, udhëheqësit e të cilit kanë paralajmërur se do të themelojnë një lëvizje të re politike. BDI-ja nuk ka bërë komente lidhur me arrestimet.

XS
SM
MD
LG