Në Shqipëri, shoqatat e eksportuesve kërkuan sot ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për të shmangur falimentimin e tyre prej forcimit të monedhës vendase mbi 15 për qind në raport me valutat e huaja.
Ata pohojnë se ky mbiçmim i pashpjegueshëm dhe i panatyrshëm i lekut, por po i sjell vendit pasoja të rënda ekonomike dhe sociale.
Qeveria po i mbështet këto biznese me disa masa lehtësuese, por ka theksuar se forcimi i lekut ka ardhur prej fuqizimit të ekonomisë.
Eksportuesit e prodhimeve shqiptare pohuan se brenda pak muajsh kanë humbur dhjetëra milionë euro e dollarë, se kërkojnë ndihmë urgjente për të shmangur falimentin, ndërkohë që mbajnë të punësuar mbi 200 mijë persona, dhe zotërojnë 6 miliardë euro asete si dhe kryejnë 3 miliardë euro xhiro me ndikim të konsiderueshëm në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto.
Kryetari i shoqatës ProEksport Albania, Edvin Prençe, përfaqëson bizneset e prodhimit të këpucëve me fason, të cilët kanë mbi 75 mijë punëtorë dhe 1 miliardë euro eksporte, por po bien ndjeshëm për shkak të humbjes së konkurrueshmërisë në krahasim me vendet e tjerë.
Ai thotë se shqetësimi shumëmujor i kursit të këmbimit po shndërrohet në një presion, madje në depresion për ekonominë shqiptare sidomos për eksportuesit shqiptarë, të cilat kanë nevojë urgjente për mbështetje.
“Nuk e mohojmë që kemi takime dhe diskutime të vazhdueshme me qeverinë, por deri në këtë çast janë të pamjaftueshme, dhe burokratike dhe shumë të ngadalta në raport me ecurinë e situatës, që vazhdon të rëndohet dita ditës. Kjo është një situatë që nuk mund të presë të nesërmen, por ndërhyrja duhet të bëhet reale dhe active ditën e sotme”, thotë zoti Prençe.
Vështirësitë më të mëdha po i hasin eksportuesit ushqimorë dhe të bimëve mjekësore, shoqata të bizneseve në turizmit, agro-përpunimit, si dhe manifakturat e veshje këpucëve.
Nga muaji prill kur nisi forcimi i shpejtë i lekut përballë euros dhe dollarit qeveria zhvilloi një seri takimesh me eksportuesit.
Vështirësitë më të mëdha po i hasin ato biznese, që shpenzimet i kanë në lekë dhe në këtë periudhë kanë një mungesë të theksuar të likuiditetit në monedhë, siç është thënë në takimet mes palëve.
Seancën e fundit të Kuvendit për këtë sezon më 20-21 korrik, u miratua një akt normativ i qeverisë mbi ligjin për tatimin mbi të ardhurat, për të ndihmuar eksportuesit, i cili eliminon parapagimin e kësteve të tatim-fitimit deri në fund të këtij viti.
Ministrja e financave dhe ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha në Kuvend se forcimi i lekut përballë valutave të huaja ka nisur nga viti 2015 dhe po tregon se ekonomia shqiptare është përmirësuar nga pikëpamja strukturore.
“Sipas gjithë analizave që ka kryer ministria e financave dhe Banka e Shqipërisë, forcimi i kursit të këmbimit, forcimi i monedhës vendase kundrejt monedhave të huaja është një dukuri, e cila reflekton përmirësimin e strukturës ekonomike të vendit. Është një dukuri e cila ka ardhur si pasojë e gjithe reformave, që kemi ndërmarrë, dhe si pasojë e modelit ekonomik, që ne kemi”, tha në Kuvend zonja Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, situata ekonomike vlerësohet si shumë e vështirë nga përfaqësues të bizneseve, por edhe më e vështirë do të jetë në të ardhmen, sepse mbiçmimi i lekut është, sipas tyre, i pashpjegueshëm, i panatyrshëm dhe i pakontrolluar.
Eksportuesit përbëjnë 22-23 për qind të tregut, ata zënë vend të rëndësishëm në ekonomi, thotë Alban Zusi, thotë President i Shoqatës Shqiptare të Eksporteve, por po marrin goditje, nuk do të kenë aftësi për të investuar, paga dhe vende të reja pune, e kjo do të ndjehet tek konsumi, tek rritja ekonomike, tek vlerësimi i lëndëve të para vendase, Eksportuesit janë grupi i parë, që po e ndjen këtë situatë, theksoi zoti Zusi, por kjo do të shtrihet në gjithë ekonominë shqiptare.
“Kjo valë më pas do të godasë sektorë të tjerë, madje tashmë i ka goditur disa sektorë, por do t’i godasë edhe më rëndë sektorë të tjerë prodhues, të cilët nuk kanë shumë lidhje me eksportin, por që janë të ekspozuar ndaj importeve të drejtpërdrejta. Do të kalojmë në një problem zinxhir, do të kalojmë në një situatë ku dukuritë ekonomike do të sjellin një ndikim nga një sektor në tjetrin”, thotë zoti Zusi.
Aftësia konkurruese e sektorit të eksporteve shqiptare brenda 6 muajve ka rënë me 15-16 për qind, ndaj edhe gjithë sektorët prodhues do të jenë në të njëjtën vështirësi, shtoi ai.
Por qeveria mendon se pikërisht kursi i luhatshëm i valutave e ka mbrojtur ekonominë shqiptare nga krizat dhe ai gjendet në themel të sistemit ekonomik.
Drejtuesit e financave dhe ekonomisë së vendit theksojnë se qeveria do të ndihmojë bizneset, ndërkohë që turizmi, investimet e huaja direkte dhe remitancat janë rritur, duke sjellë shumë euro dhe dollarë në vend, por forcimi i lekut ka ardhur prej rritjes së ekonomisë shqiptare.
Banka e Shqipërisë i ka nxitur bankat e nivelit të dytë për masa të reja në tejkalimin e situatës, me mekanizma mbrojtës dhe ristrukturim të disa kredive, lehtësim të likujditeteve dhe shpenzimeve për tejkalimin e kësaj situate.
Por eksportuesit pohojnë se këto masa janë të pamjaftueshme dhe nevojitet një ndërhyrje e shpejtë dhe kufizime në tregun e valutave, sepse ndërkohë eksportet shqiptare të prodhimeve vendase kanë rënë me 17 për qind, ndërkohë që rritja e importeve do ta dëmtojë rëndë ekonominë në shumë nivele, nga konsumatori i thjeshtë e deri tek turizmi, ku kërkohet pikërisht prodhimi vendas.
“Kur monedhat vendase fuqizohen ndjeshëm, ato nxitin importin dhe shumë vende të tjerë vendosin limite, çka duhet ta bëjë Banka Qendrore. Hapi tjetër janë politikat fiskale të qeverisë për të ndihmuar bizneset e eksporteve për një periudhë të paktën 6 mujore, si dhe për të studiuar dukuritë e panjohura, që po rrezikojnë 6 miliardë asete të këyre bizneseve, që aktualisht janë në vështirësi të mëdha. Nuk ka investim më të mirë të sufiçitit buxhetor se sa të investohet tek këto biznese, që të mos degradohen 6 miliardë asete”, thotë zoti Zusi.
Eksportuesit besojnë se ky është vetëm fillimi i periudhe të paqartë ekonomike, e po aq të paqarta janë të paqara janë sipas tyre edhe pasojat sociale dhe ekonomike, që do të sjellë zhvlerësimi i valutave të huaja.