Lidhje

70-vjetori i nënshkrimit të armëpushimit që i dha fund luftës në Gadishullin Korean


Njëzet e shtatë (27) korriku shënon 70-vjetorin e nënshkrimit të një armëpushimi që i dha fund luftimeve në Gadishullin Korean, e cilësuar shpesh si “lufta e harruar”. Shtatë dekada pas nënshkrimit, teknikisht gadishulli vazhdon të mbetet në gjendje lufte, pasi armëpushimi, që u dha fund luftimeve, nuk është zëvendësuar ende me një traktat paqeje.

70-vjetori i nënshkrimit të armëpushimit që i dha fund luftës në Gadishullin Korean
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:23 0:00

Gadishulli Korean, i cili ishte pushtuar nga japonezët gjatë Luftës së Dytë Botërore, u nda përgjatë paralelit të 38-të pas dorëzimit të ushtrisë japoneze përballë aleatëve perëndimorë, duke krijuar kufirin e brendshëm midis Koresë së Veriut dhe të Jugut.

Lufta koreane filloi në qershor të vitit 1950, kur trupat e Koresë së Veriut kaluan kufirin në paralelin e 38-të dhe nisën një sulm të befasishëm.

Fillimisht, ushtria e dobët e Koresë së Jugut pothuajse u dëbua nga gadishulli, përpara se forcat e OKB-së të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të zmbrapsnin forcat pushtuese në thellësi të Koresë së Veriut.

Në konflikt u përfshinë edhe forcat e sapokrijuara të Republikës Popullore të Kinës, të mbështetura nga forcat ajrore sovjetike. Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe trupa nga vende të ndryshme nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara luftuan për të zmbrapsur pushtuesit.

Gjashtëdhjetë e tre vende dërguan trupa ose e ndihmuan Korenë e Jugut gjatë luftës. Lufta Koreane e viteve 1950-1953 shkaktoi rreth 5 milionë viktima, ushtarë dhe civilë, duke i ndarë familjet përgjithmonë dhe duke lënë jetimë shumë fëmijë. Rreth 36,000 ushtarë amerikanë u vranë.

Një armëpushim i arritur më 27 korrik të vitit 1953 i dha fund konfliktit, çka do të thotë se gadishulli teknikisht është ende në gjendje lufte.

“Synimi tani është futja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit dhe të fillojmë të punojmë për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit korean”, tha gjenerali amerikan Mark Wayne Clark, pas nënshkrimit të armëpushimit. Objektivi i gjeneralit për marrëveshje paqeje ende nuk është realizuar.

Qindra mijëra trupa janë dislokuar në të dy anët e kufirit mes dy Koreve, një prej kufijve më të armatosur në botë. Në disa raste janë shënuar shkëmbime në tokë dhe det, ndërsa zyrtarët e dy vendeve përdorin rregullisht retorikë të ashpër ndaj njëri-tjetrit. Rreth 28 mijë trupa amerikane janë të vendosura në Korenë e Jugut.

Shtatëdhjetë vjetori i armëpushimit vjen mes rritjes së tensioneve në rajon. Pheniani ka intensifikuar provat me raketa duke bërë që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut të vënë në pah fuqinë ushtarake.

Disa ekspertë thonë se provat e Koresë së Veriut përkojnë me përvjetorin e armëpushimit. Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake në rajon, përfshirë një nëndetëse bërthamore.

Që nga fillimi i vitit 2022, Koreja e Veriut ka bërë prova me rreth 100 raketa, ndërsa shteti komunist po shfrytëzon agresionin e Rusisë mbi Ukrainën, për të prodhuar armë bërthamore, të cilat i sheh si garanci për të mbijetuar.

XS
SM
MD
LG