Lidhje

Rrëzohet një avion në Rusi, emri i Yevgeny Prigozhinit, në listën e pasagjerëve


Agjencia e lajmeve TASS, bëri sot të ditur se shefi i grupit të mercenarëve rus Yevgeny Prigozhin ishte në listën e pasagjerëve të një avioni privat i cili u rrëzua në veri të Moskës të mërkurën. Agjencia citoi ‘Rosaviatsia-n’, autoritetin rus të aviacionit.

Megjithatë, nuk ka informacione të menjëhershme e të qarta nëse Yevgeny Prigozhin ndodhej në avion.

"Ka nisur një hetim për rrëzimin e avionit Embraer që ndodhi sonte në rajonin e Tverit. Sipas listës së pasagjerëve, mes tyre ishte edhe emri i Yevgeny Prigozhin-it", thanë zyrtarët e Rosaviatsia-s.

Më herët agjencia TASS njoftoi se dhjetë persona kishin vdekur pasi një avion privat u rrëzua në rajonin Tver të Rusisë në veri të Moskës.

Presidenti Biden tha se nuk ishte i befasuar nga njoftimet se mercenari Prigozhin mund të ketë vdekur në një aksident ajror, duke shtuar se: “Në Rusi nuk ndodhin shumë gjëra pa dijeninë e Putinit".

Në avionin, që po udhëtonte nga Moska në Shën Petersburg, ndodheshin shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.

Ne Uashington zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson tha se:

"Ne i kemi parë njoftimet. Nëse konfirmohen, askush nuk duhet të habitet", shtoi ajo.

Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë, tha gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN se:

"Nëse është e vërtetë, kjo tregon se (Presidenti rus Vladimir) Putin do të eliminojë kundërshtarët dhe kjo frikëson këdo që mendon të shprehë mendime të ndryshme nga të tijat", sikurse tha ajo.

Kjo ngjarje është në zhvillim e sipër. Lajmi do të përditësohet me daljen e informacioneve të reja

XS
SM
MD
LG