Lidhje

Rusia dënon planet e Uashingtonit për të furnizuar Kievin me armë që përmbajnë uranium të varfëruar


Russia Ukraine War Military Aid
Russia Ukraine War Military Aid

Rusia dënoi të mërkurën planet e Shteteve të Bashkuara për të furnizuar Ukrainën me armë që përmbajnë uranium të varfëruar, duke e cilësuar atë “shenjë të çnjerëzimit”.

“Vendimi i administratës amerikane për të furnizuar Ukrainën me uranium të varfëruar është një shenjë çnjerëzimi”, thuhet në një shkrim të ambasadës ruse në Uashington, në platformën Telegram.

“Është e qartë se për të shkaktuar ‘një disfatë strategjike’, Uashingtoni është i gatshëm të sakrifikojë breza të tërë të ukrainasve”, thuhet në postimin e ambasadës ruse në Telegram.

Ambasada ruse në Uashington
Ambasada ruse në Uashington

Komentet e ambasadës ruse pasuan njoftimin e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për një pako të re ndihmash për Ukranën prej mbi 1 miliard dollarësh. Pjesa ushtarake e ndihmës, që arrin në 175 milionë dollarë, përfshinë armë të mbrojtjes ajrore, municion artilerie, armë anti-tank, municion që përmbanë uranium të varfëruar dhe pajisje të tjera.

Sekretari Blinken u takua të mërkurën në Kiev me ministrin e jashtëm Dmytro Kuleba, Kryeministrin Denys Shmyhal dhe Presidentin Zelensky për të marrë vlerësimin e tyre mbi ecurinë e kundërofensivës në lindje të Ukrainës dhe përgatitjetë për dimrin e ardhshëm.

Në komentet në fillim të takimit të tij me zotin Zelenskiy, zoti Blinken tha se ishte i inkurajuar nga rezultatet e deritanishme të kundërofensivës.

"Ne po shohim përparim të rëndësishëm që po bëhet aktualisht me kundërsulmin dhe kjo është tejet inkurajuese", tha zoti Blinken.

Kjo është vizita e tretë në Kiev e Sekretarit Blinken që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Gjatë takimit me Kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal, zoti Blinken tha se çdo herë që viziton vendin befasohet nga qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e popullit ukrainas, forca e ushtrisë së tij dhe udhëheqja shumë e fortë e vendit.

“Jam këtu kryesisht me kërkesë të Presidentit Biden për të riafirmuar angazhimin tonë për të qëndruar me ju, për t'u ndihmuar që të keni sukses ushtarakisht dhe të përballeni me agresionin. Por gjithashtu të qëndrojmë me ju për t'u siguruar që përpjekjet për të ndërtuar një ekonomi dhe demokraci të fortë, të kenë sukses. Pasi një demokraci dhe ekonomi e fortë, janë ndryshimi mes një Ukrainë që mbijeton, e që do ta bëjë një gjë të tillë, dhe një Ukrainë që lulëzon, e që duhet ta bëjë, e që mundet. Ne do të jemi partnerët tuaj në këto përpjekje, së bashku me shumë vende të tjera të botës”, tha zoti Blinken.

XS
SM
MD
LG