Në Kosovë, me veprimtari të shumta u mbajt festivali “Multikulturor” i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes rreth paragjykimeve dhe diskriminimit që ekzistojnë rreth komuniteteve Romë, Ashkalinj dhe Egjiptian.
Punime artizanale, ushqime tradicionale të gatuara nga gratë e këtij komuniteti janë pjesë e panairit që këtë vit po mbahet edhe në qendër të Prishtinës.
Organizatorët thonë se festivali ka për qëllim të tregojë ngjashmëritë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
“Për atë arsye ne kemi përzgjedh që përmes këtij festivali në vendin e parë të promovojmë ato modelet apo storiet pozitive, t’i tregojmë komunitetit shumicë dhe shoqërisë tonë se kush në fakt janë Romët, Ashkalinjët dhe Egjiptianët, cilat janë ato vlerat e zakonet e tyre dhe si ato në fund nuk dallojnë shumë nga ato të përgjithshme që shoqëria jonë e ka”, tha drejtori i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve, Isak Skenderi.
Këtë vit festivali po mbahet në disa qytete të Kosovës. Të rinjtë nga komunitetet Romë, Ashkalinj e Egjiptian theksojnë se punësimi dhe arsimi mbetën sfidat kryesore në mesin e tyre.
“Mirëpo ndjej një ndjenjë shumë të keqe se ata njerëz të komunitetit tonë nuk janë të shkolluar dhe nuk kanë një emër fatkeqësisht janë të diskriminuar dhe kemi shumë raste mirëpo besoj kjo dukuri e keqe do të zhduket sepse kemi shumë njerëz që na përkrahin prej mazhorancës, mirëpo gjithmonë si aktivist dhe rrethin që kemi ne do të mundohemi që komunitetit Romë, Ashkalinj dhe Egjiptian t’u japim rëndësinë shumë të madhe në angazhimin e shkollimit dhe të jemi të barabartë e të jetojmë të barabartë në shtetin e Kosovës”, tha Egzon Qabrati nga komuniteti Egjiptian.
“Shkollimin duhet ta vazhdojmë gjithqysh sepse humbim edhe të drejtat tona siç konsiderohen disa persona nga komunitetet që nuk i jepen të drejta sikurse për punësim, kështu që ne duhet të vazhdojmë me shkollim që t’i kemi të drejtat e barabarta si të gjithë qytetarët”, tha Enisa Rrustemi nga komuniteti Ashkalinj.
“Kemi shumë pjesëtarë të komuniteteve që kanë diplomuar dhe ende nuk janë të punësuar. Marrim për shembull komunën e Gjakovës kemi një numër shumë të madh të komuniteteve të cilët kanë diploma dhe fatkeqësisht ende nuk janë punësu. Kjo është një problematik që të ardhmen duhet të adresohet sa më shumë te përfaqësuesit tanë politik dhe bashkërisht të provojmë të ndikojmë që sa më shumë të ketë pjesëtarë të komuniteteve të punësuar nëpër insitutcione”, tha Ergi Cili nga qyteti i Gjakovës.
Medinë Dauti nga Qendra për informim, kritikë dhe aksion thotë se këto komunitete përballen me diskriminim në Kosovë ndërsa bën thirrje që institucionet të ndërmarrin hapa në ndryshimin e gjendjes.
“Diskriminimi racial ndodh në të gjitha institucionet shtetërore edhe është shumë e dhimbshme me thënë se kjo mund të ndodh sepse institucionet nuk janë të ndara sipas racës ose gjinisë apo çfarëdo tjetër por janë institucione që duhet t’i shërbejnë secilit qytetarë të Kosovës”, tha Medinë Dauti.
Ajo thotë gjendja më e rëndë është me gratë nga komunitetit Romë, Ashkalinj dhe Egjiptian të cilat janë të shtypura dhe nuk kanë qasje të mirëfilltë në edukim, shendetësi e punësim.
“Për gjatë punës tonë kemi vërejtur që përpos ju mohohet e drejta e përgjithshme dinjitoze dhe nuk trajtohen si qenie njerëzore mbi të gjitha kushtet për jetesë janë shumë të vështira edhe konsideroj kjo pastaj krijon segregimin edhe kontribuon për segregim shumë më të madh në shoqërinë tonë”, tha ajo.
Drejtori i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve, Isak Skenderi thotë se problem i madh mbetët mungesa e qasjes së këtyre komuniteteve në shërbime publike, arsim, punësim, shëndetësi dhe në të gjitha sferat tjera të jetës.
“Mesazhi im për shoqërinë është që duhet me pranu se në shoqërinë tonë ekziston një pabarazi e cila është shkaktuar nga sjelljet jo të drejta, racore ndaj një komuniteti specifik për shkak ngjyrës së tyre të lëkurës, gjuhës specifike ose vendi prej nga ata erdhën dhe në momentin kur e pranojmë që ky është problem atëherë mund të adresojmë problemin”, tha ai.
Organizatat ndërkombëtare kanë bërë thirrje vazhdimisht për përmirësimin e gjendjes së këtyre komuniteteve të cilat siç thuhet përballen me kushte të rënda të jetesës dhe mungesë të integrimit në shoqërinë e Kosovës.