Lidhje

Kim Jong Un premton mbështetje të plotë dhe të pakufizuar për të gjitha vendimet e Putinit


Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime në lidhje me një marrëveshje të mundshme bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Rusisë dhe Koresë së Veriut.

Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë me kujdes konktaktet mes Moskës dhe Phenianit.

“Asnjë vend në planet, askush nuk duhet ta ndihmojë zotin Putin të vrasë ukrainas të pafajshëm. Dhe nëse vendosin për ndonjë lloj marrëveshjeje armatimesh, ne sigurisht që do të veprojmë në mënyrën e duhur”, tha ai.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai koreanoverior Kim Jong Un u takuan në stacionin më të avancuar rus për hapësirën, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut patën paralajmëruar kundër një transferimi të mundshëm të armëve.

Udhëheqësi koreanoverior Kim premtoi “mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar” për “të gjitha vendimet” e Presidentit rus Putin. Deklarata duket se iu referua luftës së Rusisë në Ukrainë dhe u bë gjatë bisedimeve në Kozmodromin Vostochny në rajonin e lindjes së largët të Rusisë, pranë kufirit me Kinën.

Sipas agjencisë koreanoveriore KCNA, Kim Jong Uni e ftoi Presidentin rus Putin që të vizitojë Korenë e Veriut dhe ai e pranoi ftesën. Sipas njoftimit, palët ranë dakort për të forcuar bashkëpunimin strategjik dhe taktik përballë "kërcënimeve ushtarake, provokimeve dhe tiranisë së imperialistëve".

Kim Jong Un shpreh mbështetje të plotë për Moskën në luftën kundër Ukrainës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00


Udhëheqësi koreano-verior i tha presidentit rus përmes një përkthyesi se ishte i sigurt se ushtria dhe populli rus do të triumfonin në luftën në Ukrainë.

“Ushtria dhe populli rus me siguri do të arrijnë një fitore të madhe në luftën e shenjtë për ndëshkimin e një të keqeje të madhe, që synon të vendosë hegjemoninë dhe ushqen iluzione ekspansioniste”, tha ai, duke iu referuar perëndimit.

Më herët udhëheqësit e Rusisë dhe Koresë së Veriut vizituan kozmodromin Vostochny, ku gazetarët pyetën nëse Rusia do të ndihmojë Korenë e Veriut të ndërtojë satelitë. Sipas mediave shtetërore ruse, presidenti Putin u përgjigj: "Kjo është arsyeja pse erdhëm këtu".

"Sigurisht, ne do të diskutojmë për bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet humanitare, si dhe situatën në rajon. Kemi shumë çështje (për të diskutuar). Duhet të them se jam shumë i lumtur që ju shoh dhe ju falënderoj që pranuat ftesën dhe erdhët në Rusi”.

Agjencitë perëndimore të zbulimit dyshojnë se Rusia po kërkon të blejë armë nga Koreja e Veriut për t'i përdorur në agresionin e saj ndaj Ukrainës, por Moska dhe Pheniani e kanë mohuar një gjë të tillë.

SHBA dhe aleatët e saj në Perëndim dhe Azi, kanë paralajmëruar disa herë Korenë e Veriut që të mos i ofrojë Rusisë municione.

Në një takim të Këshillit të Sigurimit të martën, ata i përsëritën këto paralajmërime.

“Ne do të vazhdojmë t’i identifikojmë, ekspozojmë dhe t’u përgjigjemi përpjekjeve të Rusisë për të siguruar paisje ushtarake nga Koreja e Veriut, apo çdo shteti tjetër që do të mbështesë luftën e Rusisë kundër Ukrainës. I bëjmë thirrje Koresë së Veriut që të ndërpresë përpjekjet për të transferuar armë në Rusi”, tha zëvendës ambasadori amerikan në OKB, Robert Wood.

Ndërsa udhëheqësi koreanoverior viziton Rusinë, Pheniani lëshoi të mërkurën dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në brigjet e saj lindore. Ushtria e Koresë së Jugut tha se raketat u lëshuan nga afër Phenianit dhe fluturuan rreth 650 kilometra.

XS
SM
MD
LG