Lidhje

Prokuroria e Kosovës në Hagë arreston dy të dyshuar për pengim drejtësie


Dhomat e Specializuara me seli në Hagë që trajtojnë krimet e luftës në Kosovë njoftuan të premten se janë arrestuar dy persona në Kosovë, nën dyshimet për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se të arrestuarit janë Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi dhe të dy janë transferuar në qendrën Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se “z. Bahtjari dhe z. Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale”, dhe “pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake, thuhet në njoftim “ka vendosur se ka dyshime të bazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”.

Zyra e Prokurorit “e trajton jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara, që u themelua nga parlamenti i Kosovës, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi gjatë luftës në Kosovë.

Në fillim të muajit prill nisi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Aktualisht po zhvillohet edhe procesi kundër ish pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Që të gjitha i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG