Në Shqipëri Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur konfiskimin e disa pasurive të ish anëtarit të Gjykatës së Lartë Guxim Zenelaj.Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme e cila e akuzon ish gjyqtarin për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, janë 7 pasuri të ndryshme që konfiskohen, nga një sipërfaqe toke prej 1 mijë metrash katrorë në Himarë deri të disa apartamente apo lokale në në zonën e Shëngjinit.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet ndaj zotit Zenelaj dhe çështja është në gjykim. Hetimet ndaj tij dhe një grupi tjetër ish gjyqtarësh të lartë nisën pas denoncimit të një avokati.
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit shërbim prove, ish kryetarin e gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Ndërsa në proces gjykimi janë dhe ish anëtari tjetër i kësaj Gjykate, Fatos Lulo, si dhe ish anëtari i Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi. Për të gjithë akuza është ajo e fshehjes së pasurive, ndaj të cilave është vendosur dhe masa e sekuestros.