Instituti për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut organizoi një konferencë në përkujtimin e 85-vjetorit të asaj që njihet si “Nata e Kristaltë”, kur regjimi nazist në Gjermaninë e para Luftës së Dytë Botërore filloi shkatërrimin e pronave dhe jetëve të hebrenjve.
Departamenti për kujtimin e Holokaustit në kuadër të Institutit e Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve (ITKSH) në Maqedoninë e Veriut përkujtoi të martën 85 vjetorin e asaj që njihet si "Nata e Kristaltë", përkatësisht fillimi i shkatërrimit nga regjimi nazist gjatë Holokaustit i gjithçkaje që ishte hebreje.
Folësit në konferencën e titulluar “Guximi qytetar në momente të vështira”, u ndalën edhe tek zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme, teksa theksuan nevojën e mbizotërimit të paqes dhe pengimit të konflikteve.
“Kjo natë quhet e Kristaltë, që ndryshe njihet si paradhoma e Shoah - (Holokaustit), po përkujtohet në momentin kur më së miri gjen shprehje fjalia latine Repetitio est mater studiorum (përseritja është nëna e dijes), prandaj edhe historia që po e rrëfejmë sot, që ndërlidhet me “Natën e Kristaltë”, është një mësim për të sotmen dhe të ardhmen. Kjo ishte një ngjarje që i dha dimension krejt tjetër kohës dhe hapësirës në të cilën jetonin hebrejt në Evropë dhe në vende të ndryshme të botës. Sigurisht që një ngjarje e tillë e tmerrshme nuk do të ndodhte sikur të mos dështonte ndërgjegja qytetare e një shoqërie që po kalbej në muzgun e ideologjisë shfarosëse nazi-fashiste, ashtu siç dështuan evropianët për t’iu kundërvënë ideologëve dhe nismëtarëve të dy luftërave botorërore”, tha Skender Hasani, drejtor i ITKSH-së.
Por sipas zotit Hasani, nga Holokausti njerëzimi nxori mësim se “si nuk duhet të sillemi kur tjetri është në pozita të vështira”.
Pepi Levi, president i komunitetit hebre në Maqedoninë e Veriut tha se “Nata e Kristaltë me gjithë tmerrin e saj paralajmërtoi se shkatërrimi i hebrenjëve është një proces që nuk do të përfundojë para se të shkatërrohet një popull vetëm pse ka besim dhe kulturë tjetër, me traditë dhe veçorinë e vetë”.
Ambasadorja gjermane në Shkup, Petra Drexler tha se gjemanët janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë lidhur me Holokaustin sepse “përkujtimi i viktimave nuk ka një datë skadence”.
“Shohim urrejtje antisemitiste në rritje, nëpër rrjetet sociale, në gjithë globin dhe po ashtu, çka është e turpshme - edhe në Gjermani”, tha ambasadorja.
Folësit nënvizuan polarizimin e shoqërisë në aspektin global nga ajo që aktualisht po ndodh në Ukranë dhe në Lindjen e Mesme, ndërsa dënuan terrorin dhe dhunën, duke bërë thirrje nga ana tjetër, për paqe.
“E drejta për t’u mbrojtur, është po aq legjitme sa edhe një e drejtë normale e njeriut për të qenë i lirë në vendin e vet. Populli hebre dhe populli palestinez janë dy pika të një pellgu të thellë historishë, konfliktesh e keqkupimesh. Por, fatkeqësisht ky pellg vazhdon të jetë i pakalueshëm, sepse mbi kauzat për liri po ndërtohen platforma për terror dhe kidnapim i atyre kauzave, siç po ndodhë aktualisht me segmente të caktuara të rezistencës palestileneze”, tha Skender Hasani, drejtor i ITKSH-së.
Ndërkohë, Ambasadorja Dreksler tha se në Gjermani gjithkush që mbështet terrorin e Hamasit dhe kërcënon hebrenjtë do të përndiqet nga shteti ligjor.
Ajo shtoi se vendi i saj, nga ana tjetër dëshiron rregullimin e gjendjes humanitare të popullit në Gazë.
“T’i jipet fund agonisë së palestinezëve; ndërsa dënon terrorin e Hamasit, bën thirrje për lirimin e pengjeve dhe njeh të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur”, tha zonja Drexler.
Pipo Levi shpreson se drejtuesit shtetërorë nuk do të lejojnë zgjerimin e konfliktit sidomos jo në Evropë. Ndërkaq, akuzoi grupet radikale dhe terroriste, siç tha, që ndezën zjarrin në Lindjen e Mesme.
“Unë si hebre nuk mund të mos shpreh keqardhje për jetët e mijëra hebrenjve dhe palestinezëve të pafajshëm, por po ashtu nuk mund të rri pa i dënuar veprat terroriste të Hamasit, Hezbollahut dhe Xhihadit Islamik, që duke u fshehur pas banorëve palestinezë po e sakrifikojnë me vetëdije popullin e tyre duke mohuar të drejtën e popullit izraelit që të mbrojë jetët e tyre”, tha zoti Levi.
Sa i takon Holokaustit, 7144 hebrenj ishin deportuar nga Maqedonia gjatë Luftës së Dytë Botërore në kampin e përqendrimit të Treblinkës në Poloninë e sotme, për çka qeveritë dhe eksponentë të partive politike në Shkup akuzojnë Bullgarinë fashiste të kohës që administronte territorin e Maqedonisë së sotme të Veriut.