Lidhje

Jeta e ish Zonjës së Parë Rosalynn Carter


Ish zonja e parë, Rosalynn Carter, vdiq të dielën në moshën 96 vjeçare, në shtëpinë e saj, në vendlindje, në qytetin Plains, të Xhorxhias. Korrrespodenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, i cili ka ndjekur gjerësisht jetën e zonjës Carter dhe karrierën e saj pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, udhëton në kohë, duke sjellë momente nga historia e saj e dashurisë me Presidentin Jimmy Carter deri deri tek veprimtaria në mbrojtje të shëndetit global dhe demokracisë.

Jeta e ish Zonjës së Parë Rosalynn Carter
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:02 0:00

Ish zonja e parë Rosalynn Carter e pranonte se sekreti i martesës së saj 77 vjeçare me Presidetit Jimmy Carter ishte “respekti” dhe “lënia e hapësirës për tjetrin”.

“Ushqyem respekt për njëri-tjetrin. Une respektoja atë që bënte ai dhe ai respektonte atë që bëja unë. Kjo i hapi udhë një marrëdhënieje të mrekullueshme” tregonte ish zonja e parë, Rosalynn Carter.

Eleanor Rosalynn Smith Carter u lind në qytetin Plains në shtetin e Xhorxhias në 18 gusht të vitit 1927 dhe gjatë Depresionit të Madh, jetoi në qytetin e vogël, të njohur për kultivimin e kikirikëve.

“Kam jetuar një fëmijëri të mrekullueshme derisa u bëra 13 vjeç, kur më vdiq babai. Ishte shumë dëshpëruese. Ishim të varfër. Ashtu ishin dhe të tjerët, por nuk dinim, sepse kishim perime në kopësht dhe një lopë, që na jepte qumësht. Ndërsa rrobat m’i qepte mamaja”.

Ajo u rrit pranë një djali fermer, që kultivonte kikirikë, James Earl Carter Jr, i njohur si Jimmy.

Kur ai ishte 16 vjeç, në shkollë të mesme, unë isha 13 vjeç. Isha shoqja e motrës së tij. Nuk e kisha menduar kurrë se do dilja me të”, kujtonte ajo.

Por, kur u kthye për të qëndruar disa ditë në qytetin Plains, në vitin 1946, ndërsa ndiqte Akademinë në Annapolis, në shtetin e Merilendit, Jimmy Carteri i propozoi të lidheshin.

“Kur i propozova të martoheshim, herën e parë, ajo tha jo. Kjo ndodhi në shkurt. Në maj ndryshoi mendje dhe vendosi të pranonte, që të lidheshim në martesë”.

Ish presidenti Jimmy Carter dhe bashkëshortja e tij Rosalynn Carter shkëmbejnë një puthje pas një konference për shtypin në Plains, në Xhorxhia, 11 tetor, 2002.
Ish presidenti Jimmy Carter dhe bashkëshortja e tij Rosalynn Carter shkëmbejnë një puthje pas një konference për shtypin në Plains, në Xhorxhia, 11 tetor, 2002.

Ata u martuan në Plains në 7 korrik 1946. Zonja Carter ishte përkrah bashkëshortit të saj ndërsa ai vazhdonte karrierën në flotën detare. Ata lindën, tre djem, John “Jack” Carter, James Earl Carter III ose “Chip,” dhe Jeff. Dhe një vajzë, Amy, e cila erdhi në jetë më vonë, në 1967.

Ata u kthyen në Plains në 1953 për të marrë përsipër drejtimin e fermës së kultivimit të kikirikëve Carter, të cilën zonja Carter, e drejtoi edhe pasi i shoqi vendosi të hynte në politikë në 1962.

“Një mëngjes, u ngrit dhe në vend që të vishte kominoshet e punës dhe të shkonte në fermë, veshi pantallonat më të mira. E pyeta se ku po shkonte dhe m’u përgjigj se do të kandidonte për në Senatin e shtetit.

Ai humbi, por pas ankimimit të rezultatit u shpall fitues në zgjedhjeve, duke nisur kështu karrierën politike. Vite më vonë, në vitin 1970 ai u zgjodh guvernator i shtetit të Xhorxhias dhe pas më pas, më 1977 u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara. Ndërsa bënte fushatë për të ndihmuar në zgjedhjen e bashkëshortit të saj, zonja Carter dëgjoi thuajse të njëjtin shqetësim nga votuesit.

"Gjatë fushatës, përherë dikush më pyeste se çfarë do të bëja për të ndihmuar ata që kujdeseshin për familjarë të tyre me probleme të shëndetit mendor".

Si zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, zonja Carter ngriti një komision presidencial për të trajtuar çështjet e shëndetit mendor. Ajo udhëtoi nëpër botë gjatë gjithë jetës së saj duke punuar për të hequr stigmën ndaj atyre që vuajnë nga sëmundjet mendore.

"Të gjithë duhet ta kuptojnë se këto sëmundje janë njësoj si çdo lloj sëmundje tjetër”.

Presidenti Carter mbështeti fort rolin e spikatur të bashkëshortes gjatë administratës së tij dhe kërkoi këshillat e saj gjatë gjithë mandatit presidencial, duke përfshirë edhe Marrëveshjet që u firmosën në vendpushimin presidenicial Camp David, që i dhanë fund gjendjes së luftës mes Izraelit dhe Egjiptit.

“Ishte një nga ditët më emocionuese të jetës sime. Unë po qëndroja me zonjën Begin dhe kryeminitrin Begin, që ishte shumë nervoz, përpara se Jimmy të vinte e të më thoshte se do hynim në histori për atë që kishim bërë”, kujtonte ajo.

Kriza e pengjeve në Iran ndikoi në humbjen e zotit Carter në garën presidenciale ndaj republikanit Ronald Reagan në 1980 dhe çifti u rikthye në Plains, të Xhorxhias, në 1981 për të vendosur se çfarë do të bënin në të ardhmen. Zoti Carter i tha së shoqes, se do donte që jeta e tyre të ishte ndryshe.

“Ai më tha se kishte një ide për të ardhmen dhe propozoi ngritjen e një qendre si vendpushimi Camp David ku ndoshta mund të ndërmjetësoheshin marrëveshje paqeje. Kjo ishte në thelb ideja e “Qendrës Carter”.

E themeluar në 1982, "Qendra Carter" përbën sot një nga organizatat kryesore jo fitimprurëse, që nxit paqe, punon për luftën ndaj sëmundjeve tropikale dhe nxitjen e shpresës, tek popullsitë e varfra në gjithë botën.

Nën drejtimin e Rosalynn dhe Jimmy Carter-it, “Qendra Carter” ka mbikqyrur më shumë se 100 procese zgjedhore, ka dhënë ndihmë mjekësore për miliona njerëz, që vuajnë nga sëmundje tropikale. Po aq, qendra i dha zonjës Carter mjetet e nevojshme për të vazhduar veprimtarinë e saj në mbrojtje të shëndetit mendor në gjithë botën.

“Këtë kam dëshiruar përherë. Që njerëzit të kërkojnë ndihmë dhe t’u ofrohet ndihmë për të patur jetesë më të mirë”.

Jimmy and Rosalynn Carter janë çifti presidencial me lidhjen martesore më të gjatë në historinë amerikane.

Ndërsa bashkëshorti i saj iu nënshtrua para disa muajsh kujdesit profesional mjekësor në shtëpinë e tij për mbajtjen nën kontroll të dhimbjeve në prag të fundit të jetës, familja Carter njoftoi se ish zonja e parë vuante nga demencia. Ajo jetoi vitet e fundit në krah të Jimmy Carter-it, në qytetin e vogël të Plains, ku të dy u lindën, e u rritën, thuajse një shekull më parë.

XS
SM
MD
LG