Lidhje

Shoqata e gazetarëve të Kosovës kërkon hetime për “brutalitetin e policisë” kundër punonjësve të mediave


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bëri thirrje të mërkurën Inspektoratit Policor të Kosovës që të hetojë urgjentisht atë që e cilësoi si "brutalitet të policisë ndaj punonjësve të mediave", gjatë një proteste në Prishtinë.

Në një njoftim të kësaj shoqate thuhet se “pamje dhe fotografi të reja kanë nxjerr në pah brutalitetin e pashembullt”, me të cilin janë përballur gazetarët, fotografët dhe pjesëtarë të tjerë të mediave, gjatë protestës së Partisë Socialdemokrate kundër vizitës në Prishtinë të kryetares se Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

“Në njërën prej tyre shihet se si shtyhet me forcë kameramani i Zërit të Amerikës, Bujar Sylejmani, i cili ishte duke kryer detyrën e vet profesionale”, thuhet në reagimin që shoqërohet me pamje nga ngjarja.

“Përballë kësaj dhune të paprecedent të drejtuar ndaj pjesëtarëve të medias, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) që të hetojë urgjentisht të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që kanë kaluar kompetencat e tyre duke penguar punën profesionale të anëtarëve te medieve”.

Më herët gjatë ditës, Asociacioni i Gazetarëve tha se nga veprimet e policisë, “kanë pësuar kolegët Elmedina Ballazhi dhe Pleurat Salihu, i cili edhe është alivanosur, Hasan Hoti dhe Rrahman Osmani, si dhe të tjerë”.

“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, kjo sjellje e Policisë së Kosovës është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme, andaj i bën thirrje që të respektojë punën e gazetarëve, si dhe të mos i pengojë ata gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm nga policia për zhvillimet e së mërkurës. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një protestë të organizuar nga Partia Socialdemokrate kundër vizitës në Prishtinë të zonjës Trendafilova.

Protestuesit hodhën bomba tymuese në hyrjen e një hoteli në qendër të Prishtinës ku po mbahej një takim i gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile me kryetaren e Gjykatës. Gjashtë pjesëtarë të Partisë Socialdemokrate, janë arrestuar.

XS
SM
MD
LG