Lidhje

Izraeli rifillon sulmet në Gaza pas skadimit të armëpushimit


Ushtria izraelite tha se avionët e saj goditën objektivat e Hamasit në Rripin e Gazës të premten, pak pasi skadoi një armëpushim njëjavor, një shenjë e qartë e rifillimit të luftës.

Sulmet ajrore goditën jugun e Gazës, përfshirë komunitetin Abassan në lindje të qytetit të Khan Younis, tha ministria e Brendshme në territorin e drejtuar nga Hamasi. Një tjetër sulm goditi një shtëpi në veriperëndim të qytetit të Gazës.

Shpërthime të forta dhe të vazhdueshme u dëgjuan nga Rripi i Gazës dhe tym i zi ngrihej mbi territorin.

Tridhjetedy palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet izraelite gjatë orëve të para që nga skadimi i armëpushimit në Gaza, tha të premten Ashraf Al-Qidra, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, në një postim në rrjetin telegram të asaj ministrie.

Në Izrael, sirenat e alarmit u dëgjuan në tri ferma komunale pranë Gazës, duke paralajmëruar për sulm me raketa, duke lënë të kuptohet se Hamasi gjithashtu kishte rifilluar sulmet e tij.

Njoftimi i ushtrisë izraelite për sulmet u publikua vetëm 30 minuta pas skadimit të armëpushimit në orën 7 të mëngjesit të së premtes sipas kohës lokale.

Izraeli akuzoi Hamasin se kishte shkelur kushtet e armëpushimit, duke përfshirë hedhjen e raketave drejt Izraelit nga Gaza.

Ndalimi i luftimeve filloi më 24 nëntor. Fillimisht zgjati për katër ditë dhe më pas u zgjat për disa ditë me ndihmën e Katarit dhe Egjiptit si ndërmjetësues.

Gjatë armëpushimit njëjavor, Hamasi dhe militantë të tjerë në Gaza liruan më shumë se 100 pengje, shumica prej tyre izraelitë, në këmbim të 240 palestinezëve që mbaheshin në burgjet e Izraelit.

Pothuajse të gjithë të liruarit ishin gra dhe fëmijë, por fakti që pengje të tillë mbetën në Gaza e ndërlikoi arritjen e një marrëveshjeje për një zgjatje të mëtejshme të armëpushimit.

Hamasi, një grup militant që ka sunduar Gazën për 16 vjet, pritej gjithashtu të vendoste një çmim më të lartë për pengjet e mbetura, veçanërisht për ushtarët izraelitë. Rreth 140 pengje mbeten në Gaza.

Katari dhe Egjipti, të cilët kanë luajtur një rol thelbësor si ndërmjetësues, kërkuan zgjatjen e armëpushimit edhe për dy ditë të tjera.

Izraeli është nën trysni në rritje nga aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, për të bërë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë, kur të rifillojë sulmet e tij kundër Hamasit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, u takua të enjten me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë, në vizitën e tij të tretë në rajon që nga fillimi i luftës dy muaj më parë.

Ndërsa shfaqi shpresën se armëpushimi mund të zgjatet, sekretari Blinken tha se nëse Izraeli rifillon luftën dhe vepron në Gazën jugore për të ndjekur Hamasin, duhet ta bëjë këtë në "përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar" dhe duhet të ketë "një plan të qartë” për të mbrojtur civilët. Ai tha se udhëheqësit izraelitë e kuptojnë se “shkalla masive e humbjes së jetëve të civilëve dhe shkalla e zhvendosjeve që pamë në veri, nuk duhet të përsëriten në jug”.

Izraeli kishte thënë se do të respektonte armëpushimin derisa Hamasi të vazhdonte lirimin e robërve dhe u zotua të rifillonte fushatën e tij për të shtypur Hamasin, edhe pse administrata e presidentit Joe Biden i ka kërkuar që të veprojë me saktësi shumë më të madhe nëse e bën këtë.

Shumica e popullsisë së Gazës tani është grumbulluar në jug pa rrugëdalje, duke ngritur pikëpyetje se si një ofensivë izraelite mund të shmangë viktimat civile.

Kryeministri Netanyahu është nën trysni të madhe nga familjet e pengjeve për t'i sjellë ata në shtëpi. Por partnerët e tij qeverisës të ekstremit të djathtë po e nxisin atë të vazhdojë luftën deri në shkatërrimin e Hamasit duke paralajmëruar se mund ta braktisin koalicionin, nëse shihet se po bën shumë lëshime.

Gjithsej 83 izraelitë, përfshirë të tillë me shtetësi të dyfishtë, u liruan gjatë armëpushimit. Shumica e tyre dukeshin fizikisht mirë, por të tronditur. 24 pengje të tjera, nga të cilët 23 tajlandezë dhe një filipinas, u liruan gjithashtu.

Nuk është e qartë se sa nga gratë e mbetura peng, janë ushtare.

Izraeli thotë se Hamasi po mban ende rreth 125 burra.

Para armëpushimit, Hamasi liroi katër pengje dhe ushtria izraelite shpëtoi një. Dy të tjerë u gjetën të vdekur në Gaza.

Nga 240 palestinezët e liruar deri më tani shumica ishin të rinj të akuzuar për hedhje gurësh dhe bombash gjatë përleshjeve me forcat izraelite. Disa nga gratë e liruara ishin dënuar nga gjykatat ushtarake për përpjekje për të sulmuar ushtarët, disa prej tyre pasi u gjetën duke mbajtur gërshërë ose thika me vete pranë pozicioneve të forcave të sigurisë.

Hamasi e filloi luftën me një sulm vdekjeprurës me 7 tetor kundër Izraelit, gjatë të cilit ai dhe militantë të tjerë palestinezë vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe morën peng rreth 240 veta.

Që atëherë, sulmet e Izraelit në Gaza vranë më shumë se 13,300 palestinezë, afërsisht dy të tretat e tyre gra dhe të mitur, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi, e cila nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve. Më shumë se tre të katërtat e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh janë zhvendosur, pas bombardimeve izraelite dhe një fushate tokësore, që çoi në një krizë humanitare.

Numri i viktimave ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, pasi zyrtarët kanë përditësuar më rrallë numërimin që nga 11 nëntori. Ministria thotë se mijëra njerëz të tjerë dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja.

Izraeli thotë se 77 ushtarë të tij janë vrarë në ofensivën tokësore, ndërsa pretendon se ka vrarë mijëra militantë, por pa dhënë prova.

XS
SM
MD
LG