Lidhje

Kosovë: Tre të dënuar me nga dy vjet heqje lirie për sulm ndaj gazetarit Valon Syla


Një gjykatë në Prishtinë shpalli fajtorë edhe i dënoi me nga dy vjet heqje lirie tre të akuzuar për sulm ndaj gazetarit Valon Syla, drejtor i portalit ‘Gazeta Metro’.

Të tre u dënuan për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Gazetari Syla u sulmua në muajin prill të këtij viti pak pas pjesëmarrjes në një debat televiziv. Ai tha se sulmi sipas të gjitha gjasave ka të bëjë me disa reagime të tij rreth ngjarjeve në Bashkësinë Islame të Kosovës, të cilat sipas tij “kanë nxitur komunitetin e militantëve islamik të organizojnë sulm fizik të paramenduar”.

“Të akuzuarit L.D, K.H dhe O.H janë akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë sepse me datë 11.04.2023, rreth orës 23:00, në Prishtinë të motivuar me ideologji ekstreme radikale Islame përkatësisht të besimit fetarë, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin V.S, për shkak të një publikimi në profilin e tij në rrjetin social "Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa. Ata paraprakisht e kishin përcjellë të dëmtuarin nga TV 7 dhe e kishin sulmuar fizikisht me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet mes tjerash në një njoftim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sulmi ndaj gazetarit Syla u dënua gjerësisht nga shoqatat vendase e ndërkombëtare të gazetarëve, por edhe përfaqësuesit e institucioneve e partive politike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG