Një grup hakerësh rus, që besohet nga Ukraina se po punon me zbulimin ushtarak të Rusisë, ka marrë përgjegjësinë për një sulm kibernetik që kishte në shënjestër Kyivstar, operatorin më të madh celular të Ukrainës.
Shërbimi i sigurisë i Ukrainës, SBU, tha të mërkurën se po përpiqet për të riparuar rrjetin e telefonisë celulare, Kyivstar.
Sulmi i së martës nxori nga funksionimi rrjetin Kyivstar i cili ka 24 milionë përdorues. Sulmi kibernetik bëri që rrjeti të mos funksionojë për telefonata apo që përdoruesit të mos marrin njoftimet për sulme ajrore ruse. Më herët një sulm me raketë balistike plagosi mbi 50 njerëz.
Grupi i hakerëve ‘Solntsepyok’ mori përgjegjësinë për sulmin përmes një shkrimi në platformën e mediave sociale Telegram, ku postoi gjithashtu foto që tregonin se si ishte në gjendje të hynte në serverat e rrjetit Kyivstar.
“Ne sulmuam Kyivstar-in sepse kompania ofron komunikime për Forcat e Armatosura të Ukrainës, si dhe organet shtetërore dhe forcat e sigurisë të Ukrainës”, thuhet në postimin në Telegram. “Për të tjerët që ndihmojnë Forcat e Armatosura të Ukrainës, bëhuni gati”.
Ukraina e ka identifikuar më parë grupin Solntsepyok si një front për grupin rus të hakerëve "sandworm", i cili është i lidhur me drejtorinë kryesore ruse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, ose agjencinë ushtarake të zbulimit GRU.
“Sandworm është arma e zgjedhur e Moskës për sulmet kibernetike. Asnjë aktor tjetër nuk i afrohet rrezikut të afërt që ata paraqesin për infrastrukturën kritike në Ukrainë”, tha John Hultquist, i cili drejton analizën e kërcënimeve kibernetike në kompaninë Mandiant të firmës Google. Rusia ka mohuar çdo përfshirje në sulmet kibernetike.
Grupi i hakerëve ‘Solntsepyok’ tha se shkatërroi 10,000 kompjutera dhe 4,000 servera, pretendime që janë hedhur poshtë nga rrejti i telefonisë celulare Kyivstar.
Për këtë raport u përdorën të dhëna nga Reuters dhe Agence France-Presse.